Kryeministri Edi Rama mori pjesë në Samitin e BE-Ballkani PErëndimor Bruksel për të pritur një tjetër lajm të mirë për negociatat anëtarësmit në BE.
Shqipëria synon të përmbyllë edhe 5 kapituj brenda 2026. Rama tha se Tirana po pret vetëm dritën jeshile nga KE.
“Po punojmë fort me Komisionin Europian, le të shohim aritmetikën, por jemi në rrugën e duhur, sipas planeve, nuk është punë e njëanshme, është e dyanshme, ne po presim Komisionin Europian për disa kapituj të japë dritën jeshile. Duhet Komisioni Europian të aprovojë punën tonë.”
Rama e konsideroi të rëndësishëm këtë Samit, jo vetëm për vendet kandidate, por edhe për vetë Brukselin sipas të cilit duhet të ketë më shumë kurajo për zgjerimin.
“Për ne, është absolutisht e rëndësishme të jemi këtu, në këtë takim vjetor. Në këtë perspektivë, samiti i këtij viti, që mendoj se është moment i mirë për të shtyrë para, për më shumë integrim. E kuptoj, që BE duhet të ketë kurajën për hapa përpara, duke sjellë gjithë vendet kandidate rreth tryezës, me meritë sigurisht, por për të dhënë një sinjal të qartë.”
I pyetur nëse korrupsioni po bëhet pengeë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Rama bëri të qartë nga Brukseli, se lufta ndaj korrupsionit është një nga arsyet më të forta pse Shqipëria sot është vend pretendent bashkë me Malin e Zi për tu anëtarësuar në BE brenda kësaj dekade.
“Çfarë po bën Shqipëria përballë korrupsionit është e paprecedentë në rajon. Është arsyeja kryesore pse Shqipëria po bëhet një vend kandidat serioz, sepse jo shumë larg, Shqipëria ishte parë si vendi ku kultura e pandëshkueshmërisë ishte stabile, dhe korrupsioni ishte sistemi, sot Shqipëria është sistemi që lufton korrupsionin në nivel të lartë. Dhe ky është proces. Është e qartë që nuk ka më mbi ligjin në Shqipëri. Ndaj Shqipëria sot shihet me sy pozitivë.”/abcnews.al



