Shqiptarët e Kosovës gjithmonë kanë pasur një tërheqje të veçantë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dëshmia më e fundit në lidhje me këtë vlerësim e shpreh edhe një billboard (poster) nga këshilltar i ish-presidentit Behgjet Pacolli, Naim Murseli me urimin e veçantë për presidentin Trump.
“Jam pro amerikan. Jam shqiptar. Doja ta përcjell mesazhin nga Kosova. Në momentin që kuptova se ai është i infektuar me Covid-19, më lindi kjo ide që të përcjellë mesazhin nga Kosova që ne mendojmë për ju”, shprehet Naim Murseli.
Murseli nuk jeton në Kosovë ai jeton dhe punon në Suedi, një vend i BE-së, por duket se kjo nuk ia zbeh ndjenjat pro-amerikane.
“Po unë jetoj në Suedi, por jam i lindur në Kosovë dhe nuk është aspak e çuditshme se unë jam shqiptar dhe populli shqiptar është mjaft mirënjohës ndaj SHBA-së”, është shprehur ish këshilltari i Pacollit.
Me këtë veprim personal, të posterit të vendosur përbri rrugës kryesore Prishtinë-Pejë, afër aeroportit, Murseli thotë se është pajtuar edhe Pacolli, ndonëse shpreson se nuk do të ketë nevojë të qëndrojë më shumë se një javë, sepse Trump tani është shëruar.
“Çmimi i saj është një mijë euro dhe natyrisht se është me leje”, tregon ai.
Sidoqoftë, dashuria e shqiptarëve të Kosovës për SHBA-në, së paku në njëzet vitet e fundit, rrënjët i ka në Itali.
“Emri ka të bëjë me bombardimet e NATO-s të cilat kanë filluar në Kosovë, ku si bazë ka qenë Aviano, si baza e parë nga ku janë vendosur bombardimet e NATO-s”, thotë Melos Koloshi.
Kështu, këto bombardime, e më pas pavarësimi i vendit, ngjarje që ndodhën nën administratën demokrate e republikane, bën që shqiptarët në Kosovë, SHBA-në ta duan, përtej bindjeve partiake. Ndërkohë sot në Kosovë gjen gjithashtu buste të senatorit republikan Bob Dole, apo ish sekretares demokrate amerikane, Madeline Albrghit.
Sigurisht, në piedestal të adhurimit, kosovarët kanë familjen Clinton, me shtatoren e ish-presidentit, e butikun e ish-zonjës së parë aty pranë./abcnews.al