Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu zhvilloi një takim me Ministrin e Brendshëm të Suedisë, Mikael Damberg.
Në fokus të takimit ishte forcimi i bashkëpunimit mes Policisë shqiptare dhe asaj suedeze.
Gjatë këtij takimi, Veliu njohu Ministrin e Brendshëm suedez z. Mikael Damberg, për rezultatet e arritura, në drejtim të goditjes së krimit të organizuar, goditjes së grupeve kriminale nëpërmjet operacioneve dhe hetimeve të përbashkëta me partnerët, për uljen e krimeve ndaj personit dhe parandalimin e kultivimit dhe trafikimit të kanabisit.
Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm e ka njohur ministrin Damberg me rezultatet e OFL-së, ku edhe ka propozuar që bashkëpunimi me Policinë suedeze të shtrihet edhe në hetime dhe operacione të përbashkëta.
Ndërkohë ministri Damberg ka vlerësuar bashkëpunimin dhe ka mirëpritur propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për ta shtrirë bashkëpunimin në hetime të përbashkëta, për individë dhe grupe që merrem me krim të organizuar.
Sakaq Veliu siguroi Ministrin e Brendshëm të Suedisë dhe përfaqësuesit e ambasadës suedeze në Tiranë se Policia e Shtetit është e vendosur për të punuar së bashku me partnerët dhe për të mbështetur çdo iniciativë e veprim që i shërben rritjes së efikasitetit të luftës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit./abcnews.al/