Klinika e Psikiatrisë për Fëmijë dhe Adoleshentë në QSUT është rehabilituar tërësisht. Ministria e Shendetesise dhe Bashkia e Tiranës zgjodhën ditën ndërkombëtare të fëmijëve për ta inauguruar.
Një në 5 fëmijë në vendin tonë shfaqin problem me shëndetin mendor. Mjekët rendisin ndër çrregullimet më të shpeshta psikozat, ankthet dhe anoreksitë, ndërkohë që vërejnë me shqetësim se për shkak të stigmës prindërit nuk i dërgojnë fëmijët tek mjeku.
Spitali i Psikiatrisë për Fëmijë dhe Adoleshentë është rehabilituar tërësisht nga ministria e Shëndetësisë dhe Bashkia e Tiranës. Për të inauguruar mjediset e reja u zgjodh 1 qershori.
Klinika e Psikiatrisë së Fëmijëve e Adoleshentëve eshtë e vetmja strukturë me shtretër për këtë profil në vend, si ofruese e shërbimeve terciare në psikiatrinë e moshave nën 18 vjeç.
Kjo klinikë ofron shërbime ambulatore, shërbime të Spitalit Ditor dhe shtrimet tipike afatshkurtra e afatmesme për rreth 1500 fëmijë e adoleshentë në vit. /abcnews.al