Pas seancës së shtyrë për shkak të problemeve me prokurën e përfaqësimit të paraqitur nga avokati, Komisioni i Posaçëm i Apelimit do të zhvillojë të enjten seancën e radhës ndaj ish-kryeprokurorit, Adriatik Llalla. I kontaktuar nga ABC News, avokati i Llallës konfirmoi se ka plotësuar prokurën në zbatim të detyrave të lëna nga KPA.
Kolegji i Poasçëm i Apelimit do të zhvillojë të enjten seancën e dytë në gjyqësore të ankimit të Komisionerit Publik kundër ndërprerjes së Vettingut për ish-prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Bëhet fjalë për kundërshtimin e vendimit të datës 16 shkurt 2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për ndërprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar të Llallës, për shkak se ai dha doreheqje nga funksioni i prokurorit.
Në seancën e kaluar, të zhvilluar në 16 Maj, trupi gjykues i KPA shtyu seancën pasi vlerësoi se prokura e paraqitur nga avokati i Llallës, Sokol Hazizaj kishte mangësi. Sipas KPA, LLalla nuk shprehet qartësisht vullnetin se Hazizaj mund të përfaqësonte në këtë proces. Njëkohësisht, KPA vendosi rinjoftimin e Llallës për datën e seancës dhe procesin që po zhvillohet ndaj tij. Këtë të mërkurë, avokati i Llallës, konfirmoi për ABC News plotësimin e prokurës, sipas detyrave të KPA.
“Të enjten do të paraqes prokurën. Në vijim të detyrimit që më ka dhënë Kolegji i Posaçëm i Apelimit, kam realizuar të gjitha detyrimet e kërkuara”, tha avokati në një kontakt telefonik, pa dhënë detaje më të hollësishme.
Mënyra e nënshkrimit të prokurës, apo kontaktet që ka pasur avokati me klientin e tij Llalla pritet të mësohen gjatë seancës të së enjtes. Përveç ankesës së Komisionerit Publik në lidhje me Vettingun, ish-kryeprokurori Llalla po hetohet nga Prokuroria për Krimet e Rënda për kryerjen e katër veprave penale./abcnews.al