Avokati i OVL të UÇK-së, Tomë Gashi, ka deklaruar se kreu i organizatës, Hysni Gucati, dhe nënkryetari i saj, Nasim Haradinaj, janë aktualisht në Hagë.
Sipas tij, avokati Gashi, dy drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pritet të dalin së shpejti para gjyqtarit të procedurës, ndërsa dyshohen për pengim të drejtësisë.
“Që të dy janë të dyshuar për pengim të drejtësisë, që të dy janë në Hagë. Së shpejti, do të dalin para gjyqtarit të procedurës paraprake i cili do të vendosë për caktimin e paraburgimit apo jo. Megjithatë nuk dihet kur (dalin para gjyqtarit)”, u shpreh Gashi.
Tomë Gashi ka bërë të ditur gjithashtu se për herë të fundit me Haradinajn ka kontaktuar mbrëmë rreth orës 18:00 nga Selia e EULEX-t në Fushë Kosovë. /abcnews.al./