Veliaj opozitës: Mjaft e sabotuat integrimin

schedule15:17 - 24 Maj, 2018

schedule 15:17 - 24 Maj, 2018

“Mjaft e sabotuat integrimin, aty e kishit edhe qeverinë, edhe bashkinë”. Këtë mesazh kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ja drejtoi opozitës nga njësia administrative numër tetë në Tiranë, ku ndali turin e tij të llogaridhënies.

Pasi u kthye nga Holanda, ku ishte për të lobuar për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, shkoi në njësinë administrative numër tetë, banorëve të të cilës i foli për të njëjtën çështje. Mori shembull audiopërgjimin e vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, për të thënë që mes qeverisë dhe opozitës ka ndryshim.

“Sot ka një grup i cili po mundohet të rregullojë Shqipërinë, që është i fokusuar në reforma, që po mundohet që Rilindjen Urbane ta çojë nga sheshi “Skënderbej” deri në Malësi të Madhe, Koplik apo Konispol, por ka edhe një grup tjetër, i cili u thotë njerëzve, o burra ta prishim këtë vend, hajde t’i vëmë zjarrin, të krijojmë tollovi, t’i vëmë pengesa njeri-tjetrit, vetëm të mos hapen negociatat! Fakti që sot jemi në këtë situatë, ku partitë politike po mobilizojnë me kuç e me maç, me përgjime të sajuara aq keq sa edhe një fëmijë që shkon në klasë të parë, i vjen zor të besojë se ka parti politike që merren me këto histori, vetëm që Shqipëria të mos shohë një ditë të bardhë”.

Në këtë tur llogaridhënie, kryetari i bashkisë sulmoi opozitën dhe kërkoi mbështetje për kryeministrin Rama.

“Për ata që sajojnë kaseta, që bëjnë thirrje për protesta, që zihen me të njëjtin intensitet si për këndin e lodrave, si për Pazarin e Ri, si për Sheshin “Skënderbej”, mjafton të kthejmë kokën pas dhe të shohim se si të gjitha objektet e sherreve të tyre, janë sot çmime të punës së palodhur që kemi bërë në Tiranë. Dua t’i kujtoj çdo njeriu që naivisht mendon se duke djegur vendin, duke sabotuar Shqipërinë, duke i vënë stërkëmbëshin integrimit, do shohim një ditë të bardhë, u them se e kanë gabim. Ata që bëjnë thirrje për protesta, për të shkatërruar Tiranën, për të shkatërruar Shqipërinë, i kishim në qafë edhe në Tiranë, edhe në Shqipëri, dhe e pamë çfarë dinin të bënin. Ndaj, është shumë e rëndësishme që të gjithë të mbështesim Edi Ramën, të mbështesim qeverinë, deputetët, ministrat dhe t’u  tregojmë që jemi me atë skuadër që punon dhe që e çon vendin në drejtimin e duhur, në Bashkimin Europian”.

Veliaj deklaroi se opozita po përpiqet të sabotojë integrimin e Shqipërisë njësoj si u përpoq për të prishur këndin e lojërave për fëmijët në liqenin artificial në Tiranë, ndërsa reforma në drejtësi po jep rezultatet e para.

“A është sot Shqipëria vend më i sigurt? Policia, të cilën po e përflasim dhe çfarë s’po sajohet për Ministrin e Brendshëm, a ka sot më shumë siguri? Sigurisht që ka. Sot, Reforma në Drejtësi, a po i çon disa nga gjyqtarët në shtëpi?”

Mbështetje për qeverinë iu kërkoi qytetarëve edhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, sipas të cilit në Tiranë, projektet e nisura nga Edi Rama i ka çuar përpara kryebashkiaku Veliaj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!