Vrasja e Artan Cukut, mbyllet hetimi për Shallarin

schedule18:55 - 21 Maj, 2018

schedule 18:55 - 21 Maj, 2018

Prokuroria për Krimet e Rënda mbyll hetimet për Mikel Shallarin, të akuzuar për vrasjen e komisarit Artan Cuku. Këtë javë, gjykata do të miratojë kërkesën e prokurorisë për ligjërimin e statusit të bashkëpunëtorit të drejtësisë për të. Në rast pranimi, 24-vjeçari që ka pranuar vrasjen e babait të dy fëmijëve, i shpëton burgut përjetë. 

Prokuroria për Krimet e Rënda ka përfunduar hetimet për Mikel Shallarin, 24-vjeçarin nga Kuçova, të dyshuar si ekzekutorin e ish-shefit të Policisë së Vlorës, Artan Cuku. Shallari akuzohet për veprën penale të “vrasjes së punonjëse të Policisë së Shtetit”, të kryer mbrëmjen e 8 Prillit 2017 në Tiranë, vepër për të cilën Kodi Penal parashikon një dënim nga 30 vjet deri në burgim të përjetshëm. Por gjasat janë që ai të dënohet shumë më pak se aq.

Pas arrestimit, Mikel Shallari shfaqi pendesë. Ai pranoi autorësinë e krimit dhe bashkëpunoi me prokurorinë duke rrëfyer emrat personave që e rekrutuan, punësuan dhe paguan për vrasjen e ish-zyrtarit të lartë të policisë.

Burime pranë Krimet e Rënda bënë me dije për ABC News se bazuar në ndryshimet që ka pësuar Kodi i Procedurës Penale, ditët e fundit Prokuroria i ka kërkuar gjykatës të ligjërojë këtë marrëveshje bashkëpunimit me drejtësinë. Kjo kërkesë pritet të shqyrtohet ditën e enjte.

Në rast miratimi të marrëveshjes nga gjykata, Shallari shmang përfundimisht rrezikun e dënimit përjetë. Burime jozyrtare konfirmuan se prokuroria kërkon një masë dënimi 10 vjet burg në marrëveshjen paraprake mes Shallarit dhe organit të akuzës.

Do të jetë gjykata, ajo që do të vlerësojë marrëveshjen dhe masën e dënimit për 24-vjeçarin.

Nga ana tjetër, familjarët e ish-drejtuesit të lartë të policisë të vrarë për shkak të detyrës, të cilët janë palë në hetim si të dëmtuar nga ngjarja, kanë kundështuar propozimin e prokurorisë, pretendim ky që do të shqyrtohet nga gjykata.

Sipas prokurorisë, komisari Artan Cuku u vra për shkak të shkak të detyrës së tij në Policinë e Shtetit. Ai ka qenë në krye të Policisë së Vlorës në vitin 2012, kur ka arrestuar Bledar Jambellin, si person të dyshuar për një vrasje të ndodhur në qytetin bregdetar. Jambelli fitoi lirinë disa muaj më vonë, por duket se la hapur konfliktin me Cukun.

Dosja penale në ngarkim të Jambellit dhe Kristaq Lecit, të akuzuar si të  përfshirë në këtë ngjarje është veçuar nga Krimet e Rënda, pasi hetimet janë në vazhdim. Ata janë shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa fotot e tyre gjenden në kategorinë “wanted” të Interpolit. Kërkimet policore të deritanishme për vendodhjen e tyre kanë rezultuar të pasuksesshme./abcnews.al