Kaseta origjinale e komunikimeve në kanalin e Gardës së Republikës, më 21 janar 2011 kur u vranë 4 protestues në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, është dëguar për ekspertizë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
I gjithë materiali i regjistruar i është përcjellë përmes një letër porosie një laboratori të specializuar në SHBA, kjo edhe falë ndihmës së ofruar nga autoritetet gjyqësore amerikane.
Fillimisht prokurori i çështjes Alfred Shehu kërkon verifikimin e autenticitetit të materialit dhe më pas do të bëhet krahasimi i zërave që janë pjesë e komunikimit.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka shkuar kaseta origjinale e dorëzuar nga familjarët e te ndjerit Aleks Nika, një prej viktimave të plumbave në 21 janar. Prokuroria e Posaçme është në pritje të ardhjes së përgjigjes nga SHBA për të vijuar me veprimet e tjera hetimore.
SPAK regjistroi procedim penal për “21 janarin” në muajin korrik të vitit 2024, pas urdhërit të prerë te Gjykatës së Lartë. Ishte treshja gjykuese Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni ata të cilët pranuan kërkesën e familjarëve të Nikës që vrasja e 4 protestuesve të hetohej nga Prokuroria e Posaçme, si organ kompetent për hetimin e funksionarëve të lartë për kohën.
Konkretisht, familjarët e Nikës kërkuan nga SPAK të hetohet roli i Sali Berishës si kryeministër për kohën, Lulëzim Basha si ministër i Brendshem dhe Ndrea Prendi kryekomandant i Gardës së Republikës.
Procedimi penal është regjistruar për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Megjithatë ndonëse kanë kaluar gati dy vite nga ky hetim, deri më tani nuk ka persona të pandehur nga struktura antikorrupsion.



