“Fanella m’u kthye në lëkurë dytë”, Musolli largohet me letër emocionuese

schedule10:58 - 18 Shtator, 2020

schedule 10:58 - 18 Shtator, 2020

Koha për nëj aventurë të re. Besar Musolli e mbyll me Kukësin dhe rikthehet në Kosovë me medaljen e titullit kampion, të Kupës dhe Superkupës dhe me historitë verore të kalimit të tureve në kupat e Europës. “Çdo fillim e ka një fund”, shkruan Musolli dhe ai fund ka ardhur. Sigurisht mesfushori ka shumë për të thënë, por përmblidhet me një fjali: “Fanella e Kukësit m’u kthye në lëkurë të dytë”.

LETRA E MUSOLLIT – Çdo fillim e ka dhe një fund dhe për mua ka ardhur momenti që rrugëtimin me Kukësin dhe Superioren ta mbyll këtu. Jam i lumtur që në 8 vite tek Kukësi kam arritur të fitoj gjithçka, të derdh lot gëzimi, të ngre trofe dhe të shkruaj historinë në Europë, e mbi të gjitha të mbaj në krah shiritin e kapitenit, i cili për mua peshon shumë.

Jam i lumtur dhe ndihem krenar që në çdo stadium ku kam shkelur kam gjetur mikpritjen e të gjithë tifozëve dhe kam pasur respektin e tyre. Nuk kam asnjë fjalë tjetër veç falënderimeve. Kur kam ardhur në verën e vitit 2012 nuk e kisha menduar se kjo fanellë do më kthehej në një lëkurë të dytë. Nëse do të përmend emra do të jetë e vështirë, për të mos thënë e pamundur për t’i përmendur të gjithë e nuk dua të harroj askënd.

Një falënderim të madhe dhe mirënjohje të pafundme për çdo lojtar dhe pjesëtar stafi që kam pasur fatin e kënaqësinë të punoj, të mësoj e të gëzoj me ju. Nuk mund të mos falënderoj drejtuesit me në krye presidentin Safet Gjici. Nuk dua të zgjatem, pasi nuk është aspak e lehtë të shkruaj e të flas për një vendim që nuk ishte aspak i lehtë, por i detyruar.

Largohem nga Kukësi me respektin maksimal, duke lënë pas vetes një histori që është shkruar me germa të arta e nuk mund ta përshkruaj me fjalë gjithë emocionin që kam ndier. Largohem nga kampionati shqiptar për të qenë pranë familjes, e për t’iu dedikuar fëmijëve të mi.

Në fund, me përulësi, dua të falënderoj çdo tifoz të Kukësit, i cili për gjatë rrugëtimit tim më ka bërë të ndihem i vlerësuar në çdo minutë. Ju jeni dhe do mbeteni gjithnjë në zemrën time, jo si tifozët e mi, por si miqtë e mi dhe ata që më keni qëndruar pranë. Ka ardhur momenti për të thënë lamtumirë, ama Kukësi do jetë gjithnjë pjesë e jetës time, si epoka më e artë e karrierës time. i juaji, Besar Musolli B. M 23! /abcnews.al