Është një realitet që vazhdon të konfirmohet çdo javë. Madje, Erblira Bici pati nevojë për fare pak ditë që të shkëlqente sërish në parketet e Ligës Italiane të Volejbollit të femrave.
Ylli I kombëtares shqiptare të rrjetës ishte përsëri më e mira në fushë, ndërsa skuadra e saj, Megaboks Valefolia, arriti fitoren e tretë radhazi në tri javë kampionat.
Bici realizoi 20 pikë, katër më shumë sesa shoqja e saj e ekipit, rusja Jelizaveta Koçurina, duke qenë shumë më lart se volejbollistet e tjera në të dyja anët e rrjetës.
Valefolia fitoi 3-1 me rezultatin e seteve 20-25, 25-20, 25-22 dhe 25-17.
Kampionia shqiptare është shënuesja më e mirë e skuadrës së saj në tri javët e para të Serisë A me 57 pikë, si dhe e dyta më e mira e kampionatit pas kanadezes së Skandiçit, Van Rajk që ka shënuar plot 75.
Natyrisht, nuk pritet që Valefolia të luftojë për titull këtë sezon, sepse skuadrat më të forta në Itali janë Koneliano, Milano dhe Skandiçi, por gjithsesi ekipi I Bicit duket në formë shumë të mirë e mund të luftojë për t’u kualifikuar për në Champions, si dhe do të luftojë që të mbrojë titullin e fituar në Kupën Çellënxh të Europës.


