Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç në një rrëfim për gazetën “Financial Times” ka treguar se është i fiksuar me Kosovën. Ndërsa media prestigjoze shkruan se për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe do të ishte e përshtatshme një zgjidhje e njëjtë me atë të Irlandës së Veri.
Gazeta prestigjoze britanike “Financial Times”, në një shkrim të gjatë për situatën mes Beogradit dhe Prishtinës, ka marrë prononcimin e Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.
“Jam i fiksuar me Kosovën. Pa zgjidhur atë problem, çdo gjë që kam arritur deri tani do të ishte e parëndësishme. Kriza e parë do të na vrasë ne”, shprehet Presidenti serb për “Financial Times”.
Teksa nga ndërkombëtarët Vuçiç shikohet si politikan proevropian, gazeta prestigjoze nuk ka harruar të rikujtojë se ai e ka nisur karrierën si ultranacionalist me fjalinë e famshme se “për çdo serb të vrarë, do të vrasë 100 myslimanë”, pas masakrës së Srebrenicës më 1995. Gjithashtu përmend edhe faktin se Vuçiç shërbeu si ministër në administratën e Sllobodan Millosheviçit.
“Financial Times”, shkruan edhe për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Në artikull theksohet qëndrimi i ministrisë serbe të Jashtme dhe të Mbrojtjes që kanë mbështetur haptazi shkëmbimin e territoreve me Kosovën. Por kjo për fuqitë perëndimore do të hapte kutinë e pandorës në rajon.
“Zgjidhja më e mundshme do të përfshinte marrëveshjet e autonomisë dhe ndarjes së pushtetit të ngjashëm me Irlandën e Veriut për zonat e mbizotëruara nga serbët, në këmbim të njohjes së shtetësisë së Kosovës, por edhe kjo do të ishte një hap shumë i madh për shumë serbë dhe do të përballej ende me pengesat e një referendumi, ku Vuçiç mund të hasë në rezistencë të ashpër nga disa qarqe, duke përfshirë kishën ortodokse serbe”, thekson Financial Times.
Ndërkohë, duke qëndruar tek çështja e Kosovës, mediat e Beogradit raportojnë të rejat e fundit. Gazeta “Blic” shkruan se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet perëndimore kanë paraqitur një plan për zgjidhjen e problemit të Kosovës, për presidentin serb Aleksandar Vuçiç. Sipas dokumentit të siguruar nga kjo media, aty sqarohet se plani është mjaft pozitiv për Serbinë. Megjithatë ende nuk ka marrë pëlqimin konkret nga kreu i shtetit./abcnews.al