Dhjetëra qytetarë janë mbledhur para Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar nga deputetët miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Një pjesë e protestuesve kanë kaluar edhe natën pranë ndërtesës së Kuvendit, në shenjë pakënaqësie dhe për të kërkuar që deputetët ta marrin parasysh kërkesën e tyre.
Ata u kanë bërë thirrje deputetëve që të votojnë ndryshimet e propozuara në ligj, ndërsa kanë paralajmëruar se do të qëndrojnë para Kuvendit deri në përfundimin e procesit parlamentar.
Protestuesit vlerësojnë se ndryshimi i ligjit është i nevojshëm dhe u kanë kërkuar deputetëve që ta mbështesin nismën gjatë votimit.


