Kukësi vazhdon përgatitjet për sfidën ndaj Wolfsburg në raundin e dytë të Europa League (17 shtator). Duel i vështirë por djemtë e Skënder Gegës duan të bëjnë një paraqitje sa më të mirë ndaj ekipit të Bundesligës.
Në klub kanë ardhur disa oferta për dy prej titullarëve. Panorama Sport raporton se Eduart Rroca pëlqehet shumë në Turqi. Një ekip i Superligës së këtij shteti (emri nuk zbulohet) është gati të japë 130 mijë euro për kartonin e fantazistit.
Agjentët e klubit kanë ndjekur në stadium sfidën ndaj Slavia së Sofies dhe kanë mbetur të kënaqur me performancën e 27-vjeçarit nga Librazhdi. Interesim ka edhe për Bruno Telushin. Vlonjati, i cili u afrua këtë verë te verilindorët, ka marrë një ofertë nga Neftçi Baku, por vështirë që të lejohet largimi i tij.
Jo vetëm oferta për Kukësin. Valon Ethemi nuk ka duruar më dhe i ka hedhur në gjyq nënkampionët e Shqipërisë. 22-vjeçari arriti marrëveshjen për kalimin në Poloni te Zaglebie Lubin, por Kukësi dërgoi një shkresë që bllokoi transferimin e lojtarit.
Klubi pretendon se ai është nën kontratë me ta deri në fund të aventurës evropiane, teksa Ethemi e mohon diçka të tillë. Agjentët e lojtarit kanë ngritur padi ndaj klubit verilindor në FIFA dhe javën e ardhshme do të merret një vendim në lidhje me këtë çështje. Vllaznia vijon të jetë një ndër klubet më aktive në merkato.
Kuqeblutë po kërkojnë një sulmues dhe kanë piketuar Marko Simonovskin. 28-vjeçari maqedonas ka një eksperiencë të madhe, teksa sezonin e fundit ishte pjesë e Voluntari në kampionatin rumun. Pëlqim pati edhe për Haris Dilaver, por klubi shkodran ka zgjedhur të investojë te Simonovski. /abcnews.al