Të paktën tetë persona janë vrarë dhe 60 të tjerë janë plagosur nga sulmet e gjera ruse në disa rajone të Ukrainës, të kryera të premten, më 16 tetor.
Sulmet goditën zona civile, qendra tregtare dhe infrastrukturën energjetike, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike për më shumë se një milion konsumatorë.
Autoritetet ukrainase kanë angazhuar ekipet e emergjencës dhe specialistët e energjisë për të përballuar pasojat e sulmeve dhe për të rikthyer furnizimin me energji elektrike në zonat e prekura.
Ndërkohë, Moska pretendon se forcat ruse kanë marrë kontrollin e qytetit të Dobropilias, në rajonin e Donetskut. Ky pretendim nuk është konfirmuar nga pala ukrainase.
Viktima dhe dëme nga Kharkivi në Dnipropetrovsk
Sulmet ruse prekën disa rajone të Ukrainës, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturën civile.
Në Kharkiv, në verilindje të vendit, u raportuan dy të vdekur dhe 12 të plagosur, sipas guvernatorit rajonal Oleh Sinyegubov. Dy persona të tjerë u vranë në Kramatorsk, në rajonin e Donetskut, ndërsa dy viktima u raportuan në rajonin e Dnipropetrovskit.
Në rajonin e Volynit, pranë kufirit me Poloninë, një dron rus goditi një fabrikë të përpunimit të produkteve ushqimore. Sipas guvernatorit Roman Romanyuk, një person humbi jetën dhe tetë të tjerë u plagosën.
Sulme u raportuan edhe në qytetin e Kovelit, ku u goditën objekte doganore dhe rreth dhjetë kamionë. Zona ndodhet pranë një prej rrugëve kryesore që lidh Kievin me Poloninë.
Goditen qendra tregtare në Sumy dhe Rivne
Përveç infrastrukturës energjetike dhe objekteve industriale, në shënjestër të sulmeve ruse ishin edhe dy qendra tregtare, njëra në Sumy, në verilindje të Ukrainës, dhe tjetra në rajonin e Rivnes, në veriperëndim.
Pamjet e publikuara nga shërbimet ukrainase të emergjencës në Sumy treguan dëme të konsiderueshme në hyrjen e ndërtesës dhe gjurmë gjaku në dysheme.
Në rajonin e Rivnes, një person u vra dhe shtatë të tjerë u plagosën nga sulmet me dronë që goditën një qendër të madhe tregtare dhe zona të tjera. Bilanci u bë i ditur nga guvernatori rajonal Oleksandr Koval.
Autoritetet vijuan vlerësimin e dëmeve dhe operacionet e emergjencës pas sulmeve.
Mbi një milion konsumatorë preken nga ndërprerjet e energjisë
Sulmet ndaj rrjetit elektrik shkaktuan ndërprerje të gjera të furnizimit me energji në disa pjesë të Ukrainës.
Ministria ukrainase e Energjisë njoftoi se ekipet e riparimit kishin rikthyer furnizimin për më shumë se një milion konsumatorë të prekur nga sulmet e së premtes.
Megjithatë, autoritetet nuk dhanë një bilanc të plotë të familjeve dhe bizneseve që vijonin të përballeshin me ndërprerje. Riparimet mbeten një sfidë në zonat ku infrastruktura kritike është dëmtuar rëndë.


