Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka anuluar pothuajse të gjitha sanksionet, tarifat dhe kufizimet kryesore të përfshira në një ligj dypartiak, i cili synonte ta shtonte trysninë ndaj Rusisë për t’i dhënë fund luftës kundër Ukrainës.
Vendimi ka nxitur kritika të ashpra nga mbështetësit e Ukrainës dhe ligjvënësit e të dyja partive, të cilët thonë se kjo lëvizje i minon përpjekjet për ta detyruar Moskën të negociojë.
Në një urdhër ekzekutiv të nënshkruar vonë të premten, Trump tha se moszbatimi i këtyre masave është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara. Ai e mori këtë vendim vetëm dy ditë para se paketa e sanksioneve të hynte në fuqi më 18 tetor.
Legjislacioni, i njohur si Akti i vitit 2026 për Sanksionimin e Rusisë dhe Iranit, me emrin Lindsey O. Graham, u nënshkrua në ligj nga Trump në shtator. Ai u emërtua pas vdekjes së senatorit republikan Lindsey Graham, mbështetësit të njohur të Ukrainës në Kongres, i cili vdiq më 11 korrik.
Ligji synonte t’i jepte administratës amerikane më shumë mjete trysnie ndaj presidentit rus, Vladimir Putin. Ai autorizonte vendosjen e tarifave deri në 100 për qind ndaj blerësve kryesorë të naftës dhe gazit rus, përfshirë Kinën dhe Indinë, si dhe parashikonte sanksione ndaj zyrtarëve rusë, institucioneve financiare dhe të ashtuquajturës flotë në hije të Rusisë, e përbërë nga cisterna që përdoren për t’i anashkaluar kufizimet ekzistuese.
Vendimi i Trumpit për t’i pezulluar këto masa ka ngritur pikëpyetje nëse administrata e tij synon ta përdorë trysninë ekonomike që Kongresi kërkoi ta ushtronte ndaj Moskës, për ta detyruar atë t’i japë fund luftës.
Në urdhrin e tij, Trump tha se legjislacioni e autorizonte atë ta përjashtonte zbatimin e dispozitave për sanksione ndaj individëve të huaj. Ai deklaroi se ia ka dorëzuar Kongresit një vërtetim se vendimi i tij është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara.
Ligji gjithashtu kërkon që administrata ta paraqesë një raport ku shpjegohen arsyet mbi të cilat mbështetet ky vlerësim. Raporti duhet të dorëzohet në formë të paklasifikuar, megjithëse mund të përfshijë një shtojcë të klasifikuar.
Shtëpia e Bardhë nuk i ka bërë publike, në materialet e siguruara për këtë raport, arsyet thelbësore për heqjen e dispozitave kryesore të ligjit.
“Zgjedhje mizore politike”
Mykola Murskyj, drejtor i avokimit në organizatën joqeveritare me bazë në SHBA, Razom for Ukraine, e cila mbështet Ukrainën, i tha Radios Evropa e Lirë se Trumpi e ka shpërdoruar një mundësi për ta shtuar trysninë ndaj Putinit.
“Trumpi shpërdoroi një mundësi të artë për ta sjellë paqen në Ukrainë”, tha Murskyj.
Ai tha se ligjvënësit kishin kaluar muaj të tërë duke ndërtuar mbështetje dypartiake për legjislacionin, i cili përfshinte tarifa ndaj vendeve që blejnë naftë ruse, kufizime për blerjen e borxhit sovran rus dhe kufizime për investimet e reja në Rusi.
“E gjithë kjo u fshi me një urdhër të nënshkruar të premten natën vonë nga Shtëpia e Bardhë”, tha Murskyj.
Ai vuri gjithashtu në pikëpyetje kohëzgjatjen e përjashtimeve nga sanksionet.
“Çuditërisht, këto përjashtime nuk kanë as datë skadimi”, tha ai.
Në një deklaratë, Razom e dënoi vendimin, duke thënë se refuzimi për t’i përdorur mjetet në dispozicion për të ushtruar trysni ndaj Rusisë është zgjedhje e qëllimshme politike.
“Mungesa e mjeteve për t’i dhënë fund kësaj lufte do të ishte tragjedi. T’i kesh ato dhe të refuzosh t’i përdorësh është zgjedhje mizore politike”, tha Daniel Balson, drejtor i avokimit në Razom.
Balson tha se legjislacioni ishte negociuar me shumë kujdes nga një grup dypartiak senatorësh, të cilët kishin punuar për disa muaj me zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, para se projektligji të fitonte mbështetje të konsiderueshme në të dyja dhomat e Kongresit.
Sipas deklaratës së Balsonit, gjatë javës para këtij vendimi nga Trump, Rusia kishte lëshuar më shumë se 700 dronë, si dhe raketa balistike dhe raketa lundruese, kundër qyteteve dhe centraleve energjetike të Ukrainës.
“Urdhri i sotëm i dërgon Kremlinit mesazhin se mund ta vazhdojë pushtimin”, tha ai.
Pikëpyetje për arsyetimin dhe afatet
Vendimi ka ngritur gjithashtu pikëpyetje lidhur me shpjegimin që administrata e Trumpit i ka dhënë Kongresit për heqjen dorë nga dispozitat për sanksionet dhe tarifat.
Max Meizlish, ish-zyrtar në Zyrën për Kontrollin e Aseteve të Huaja të Departamentit amerikan të Thesarit, i cili tani është zëvendësdrejtor i Qendrës për Fuqinë Ekonomike dhe Financiare në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, i tha Radios Evropa e Lirë se arsyetimi i administratës është tashmë çështja kryesore.
“Pyetja tani është se çfarë arsyetimi thelbësor i ka paraqitur administrata Kongresit për të hequr dorë pothuajse nga çdo dispozitë kryesore e ligjit për sanksionet dhe tarifat, i cili u miratua me mbështetjen e të dyja partive”, tha Meizlish.
Sipas ligjit, administrata duhet të dorëzojë një vërtetim me shkrim se përjashtimi është në interesin kombëtar, së bashku me një raport që shpjegon bazën e këtij vlerësimi. Kërkesat për raportim synojnë t’i japin Kongresit një pasqyrë të arsyetimit pas vendimit të administratës.
Ndërkaq, neni 113 i ligjit përcakton kërkesat për paraqitjen e një arsyetimi me shkrim para komiteteve përkatëse të Kongresit lidhur me vendosjen e tarifave. Burime të njohura me çështjen i thanë Radios Evropa e Lirë se administrata e kishte humbur afatin e 8 tetorit, që lidhej me këto kërkesa.
Moszbatimi i masave vjen gjithashtu pas një vendimi tjetër të Trumpit për të lejuar shitjen e naftës dizel ruse, në një kohë kur ekzistojnë shqetësime për rritjen e çmimeve të karburanteve dhe mungesat në furnizimin global.
Javën e kaluar, Trumpi tha se Rusia mund të eksportonte menjëherë 300.000 tonë naftë dizel, dhe pastaj 500.000 tonë të tjera në nëntor dhe më pas edhe 1 milion tonë “menjëherë pas kësaj”.
Ky vendim u kritikua ashpër nga demokratët dhe republikanët, si dhe nga Ukraina dhe aleatët e saj evropianë. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e quajti atë “dhuratë” për Putinin.
Moszbatimi i sanksioneve vjen në një kohë kur administrata amerikane po përpiqet t’i ulë çmimet e karburanteve në SHBA para zgjedhjeve të mesmandatit në nëntor, të cilat do të përcaktojnë se cila parti do ta kontrollojë Kongresin. Çmimet e energjisë janë ndikuar gjithashtu nga lufta e Shteteve të Bashkuara në Iran.
Vendimi ka nxitur kritika edhe nga ligjvënësit që e kishin mbështetur legjislacionin Graham dhe i kishin bërë thirrje presidentit ta zbatonte atë plotësisht.
Senatori demokrat Richard Blumenthal, bashkautor i projektligjit, e akuzoi Trumpin se po mbante anën e Putinit dhe të rrjeteve që mbështesin përpjekjet luftarake të Rusisë.
“Donald Trumpi konfirmon sërish se është në anën e një krimineli gjakatar dhe të atyre që mundësojnë funksionimin e makinerisë ruse të luftës”, shkroi Blumenthal në rrjetet sociale, duke argumentuar se vendimi është në kundërshtim me qëndrimet e shumicës së amerikanëve, anëtarëve të Kongresit dhe aleatëve evropianë.
Edhe republikani Don Bacon, anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve, e kritikoi vendimin e presidentit, duke thënë: “Presidenti po e zgjat luftën, në vend që t’i japë fund”.
Më 16 tetor, Gregory Meeks, përfaqësuesi kryesor i demokratëve në Komitetin e Dhomës së Përfaqësuesve për Punët e Jashtme, paraqiti një projektligj dypartiak për ta bllokuar marrëveshjen e propozuar nga Trumpi për blerjen e naftës dizel nga Rusia.
Kjo marrëveshje “do t’i sigurojë Putinit miliona dollarë për të vazhduar masakrimin e civilëve ukrainas pa u ndëshkuar”, tha Meeks, duke i bërë thirrje Kongresit ta miratojë projektligjin./rel


