PSG ishte afër fitimit të Champions League për herë të parë në histori, por dështoi në finale përballë Bayern Munchen. Kampionët e Francës nuk dorëzohen dhe do e tentojnë sërish sezonin e ardhshëm fitimin e kompeticionit më të rëndësishëm për klube.
Leonardo, drejtori sportiv i klubit francez, rrëfen për Canal + se prioriteti është rinovimi me Neymar dhe Kylian Mbappe, dy yjet e ekipit. Braziliani flet edhe për Leo Messin. PSG u tundua në një moment të paguante 700 milion euro për “pleshtin”, por kriza ekonomike ndikoi.
“Duam të vazhdojmë t’i kemi në skuadër Neymar dhe Mbappe, kjo është e sigurt. Kemi biseduar me lojtarët në lidhje me rinovimet, do të gjejmë momentin e duhur për t’u ulur e firmosur kontrata e reja.
Është një shans i madh për ne që kemi në skuadër dy lojtarë të tillë, të cilët janë më të mirët në botë pas Messit dhe Ronaldos. Kjo është diçka e jashtëzakonshme për PSG.
Merkato? U tunduam në një moment për të blerë Leo Messin… Jemi një klub dhe skuadër ambicioze, por ky vit ka qenë i vështirë në aspektin financiar. Është e qartë që kemi nevojë për përforcime, sidomos në krahun e djathtë të mbrojtjes“, thekson Leonardo. /abcnews.al