Këngëtarët shqiptarë kanë shkëlqyer në skenën e Eurovision-it, ku finalja e madhe u fitua nga Izraeli me këngëtaren Netta. Eugent Bushpepa u rendit në vend të 11, ndërsa shqiptarja që përfaqësoi Qirpon vetëm një hap larg fitores u rendit e dyta.
Një fitore e parashikueshme pasi gjatë ditës së të shtunës të gjitha parashikimet flisnin në favor të këgëtares Netta me “Toy”.
Por nga ana tjetër, këngëtarët shqiptarë kanë shkëlqyer me performancën e tyre.
Eugente Bushpepa që përfaqësoi vendin tonë me këngën “Mall” u rendit në vendin e 11 me 184 pikë. Pas interpretimit ai është shoqëruar nga shumë duartrokitje.
Dyshja Ermal Meta dhe Fabrizio Moro arritën të renditen të pestit me këngën e tyre “Non mi avete fatto niente”, vetëm falë votive të publikut, pasi vetëm Shqipëria i dha pikët maksimale këngëtarit shqiptar që përfaqësoi Italinë në këtë garë muzikore. Vetë Italia i dha 0 pikë Shqipërisë që përfaqësohej nga Eugent Bushpepa.
Një triumf i vërtetë ka qenë për shqiptaren tjetër Eleni Foureira që përfaqësoi Qipron, e cila e pa veten vetëm një hap larg fitores me këngën e saj “Fuego”. Shqipëria i dha dhjetë pikë performancës së saj.
Dhe pikërisht për këtë fakt, mediat greke duket se janë të pakënaqura. Shtypi grek, kritikon Shqipërinë që nuk i dha 12 pikë të plota Eleni Foureiras, që mund të kishin ndikuar në fitoren e saj. Pavarësisht se ato 2 pikë më shumë, nuk do ta ngjisnin në vendin e parë./abcnews.al