Policia e Fierit ka zbuluar një laborator në ndërtim e sipër, i cili dyshohet se do të përdorej për kultivim të bimëve narkotike. Laboratori po ngrihej ne fshatin Mbrostar të Fierit, në tokat në pronësi të një banori të Patosit.
Në një vend aspak të fshehur këtu në Mbrostar të Fierit po ngrihej një laborator droge.
Janë tokat Vladimir Çilotaj (Shpërdheja) 50 vjeç nga Patosi, të cilin banorët e njohin si personazh të fuqishëm në Patos.
Magazina ka një sipërfaqe prej 480 metra katrorë dhe brenda saj ishte montuar laboratori me një sipërfaqe prej rreth 300 metra katrorë.
Policia e zbuloi në ndërtim e sipër, kur brenda ishin instaluar pajisjet elektrike.
Siç duket nga pamjet, ambjentet ku do të rritej kanabisi ishin të pajisur me prozhektorë të fuqishëm për ngrohjen dhe ndriçimin e fidanëve dhe të gjitha pajisjet elektrike që e kthenin magazinën në një serë droge.
Veç bllokimit të magazinës dhe laboratorit të kanabisit, policia sekuestroi në afërsi të Semanit një skaf 12 metra i gjatë me të cilin dyshohet se do të transportohej lënda narkotike.
Por megjithë këtë zbulim, policia nuk mundi të vërë në pranga, as pronarin e magazinës, kur po ndërtohej laboratori, dhe as pronarin e mjetit lundrues./abcnewsw.al