Mevlan Adili gëzoi sot tifozët shkodranë, pasi rinovoi me Vllazninë, ndërkohë që drejtuesit po punojnë edhe për afrimet. Sulmi është reparti që në Shkodër po përpiqen ta plotësojnë sa më parë.
Nga ekipi i Sabah në Azerbajxhan është marrë Mehdi Çoba, shkodrani i spikatur në kampionatet e moshave me AAS (Akademia Ajaks Shkodër). Sulmuesi ka firmosur për dy vite dhe është zyrtarizuar sot si lojtari më i ri i Vllaznisë.
“KF Vllaznia bën të ditur se pasditen e sotme ka firmosur me futbollistin Mehdi Çoba. Lojtari në fjalë është rritur tek Akademia “AAS” ndërsa sezonin e fundit ka qenë pjesë e ekipit Sabah FC në Azerbajxhan.
Çoba tashmë vjen tek Vllaznia për të dhënë më të mirën e tij dhe kontrata e firmosur me klubin tonë është dyvjeçare.
Sulmuesi është edhe kontigjent i kombëtares U20 të Shqipërisë. Mirê se vjen tek Vllaznia Mehdi Çoba”, njofton klubi shkodran përmes rrjeteve sociale. / abcnews.al



