24 kompani kineze dhe një numër individësh, janë vënë në shënjestër të SHBA-së pasi dyshohet se ishin pjesëmarrës në ndërtimet dhe veprimet ushtarake që lidhen me ishujt e diskutueshëm në Detin e Kinës së Jugut.
Mediat vendase bëjnë me dije se zyrtarë nga Departamenti amerikan i Shtetit dhe ai i Tregtisë, në një deklaratë theksojnë se 24 kompanitë luajtën rol, duke ndihmuar ushtrinë kineze për ndërtimin dhe militarizimin e ishujve artificialë në Detin e Kinës së Jugut, veprime që janë dënuar ndërkombëtarisht.
Departamenti i Shtetit, në një deklaratë të veçantë, tha se do të vendoste kufizime vizash për individët kinezë “përgjegjës ose bashkëpunëtorë” në veprime të tilla në Detin e Kinës së Jugut.
Sipas Departamentit të Shtetit, kufizimet e vizave do të vendosen edhe ndaj personave që lidhen me përdorimin e masave shtrënguese të Kinës kundër disa vendeve të Azisë Juglindore, për të penguar qasjen e tyre ndaj burimeve në det të hapur./abcnews.al