Disa orë pas denoncimit të ABC News, policia ka nxituar të sistemojë e të pastrojë vendin e ngjarjes në Derven të Fushë Krujës, aty ku një burrë u dogj brenda në makinë. ABC News të dielën, një ditë pas ngjarjes, solli pamje që tregonin ekzistencën e eshtrave të viktimës, pasi grupi hetimor kishte përfunduar këqyrjen. ABC News kërkoi edhe reagim nga policia e Fushë Krujës por asnjë zyrtar nuk pranoi të flasë. Deri tani për krimin janë shoqëruar shtatë persona, por asnje nuk është ndaluar.
Një ditë pas ABC News denoncoi skandalin e eshtrave të viktimës së Fushë Krujës në vendin e ngjarjes, policia është angazhuar për pastrimin e tyre.
Kamera e ABC News ishte përsëri në Derven, aty ku u gjet makina me një njeri të karbonizuar brenda.
Si shikoni nga pamjet, mbetjet e kockave të viktimës, që u filmuan paraditen e së dielës nuk janë më.
Megjithatë si në çdo vendngjarje, ka sërish mbetje që ndoshta nga pakujdesia policët nuk i shohin.
Kësaj here gazetari dhe operatori i ABC News fiksuan pamjet e dorës së njeriut që besohet se më parë është ekzektuar dhe me pas është djegur.
ABC News kërkoi një reagim në komisariatin e policisë së Fushe Krujës, por asnjë zyrtar nuk pranoi të fliste.
Bëhet fjalë për vendin ku mendohet se kosovari Xhavit Osmani 60 vjeç nga Vushtria, i cili rezulton pronari i makines, është vrarë dhe djegur bashkë me makinën. Ekspertiza ende nuk ka nxjerrë zyrtarisht këtë fakt, pasi janë në pritje të ADN-së.
Familjarët e tij të cilët e kishin denoncuar të zhdukur në 4 maj kanë mbërritur në Tiranë. Më parë ata kanë qenë aty ku gjet makina. Osmani rezulton se ka hyrë nga Morina më 29 prill. Ka dyshime për hakmarrje nga ish-miqtë e kosovarit në Fushë Krujë.
Të dielën një zyrtar i policisë i tha ABC News, që vendasit e njihnin Osmanin si pronar të një lokali me muzikë, në të cilin punojnë dhe vajza nga zona ku u gjet makina e djegur. Kështu të paktën e njohin kosovarin në Fushë Krujë. /abcnews.al