MALËSI E MADHE- Një 47-vjeçar, shtetas gjerman, ka sulmuar me thikë dy punonjës policie në Malësinë e Madhe, gjatë ndërhyrjes së uniformave blu për ndalimin e tij.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 17:30 të kësaj të shtune. Policia thotë se ka qenë një 27-vjeçar, i cili ka deklaruar se gjatë udhëtimit me automjetin e tij, nga Hani i Hotit në drejtim të Shkodrës, drejtuesi i një automjeti tjetër dyshohet se i kishte hedhur benzinë makinës së tij.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e policisë kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë bërë të mundur ndalimin e automjetit të dyshuar në fshatin Pjetroshan.
Drejtuesi i automjetit, ka refuzuar të identifikohet dhe, gjatë ndërhyrjes së efektivëve për neutralizimin e tij, ka goditur me thikë dy punonjës të Patrullës së Përgjithshme.
Dy efektivët e plagosur janë transportuar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Ndërkohë, policia ka bërë të mundur neutralizimin dhe shoqërimin e 47-vjeçarit në ambientet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, ku po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale.


