Veliaj bashkëpunon me homologun e Firences për “Tirana Smart City”

schedule14:25 - 3 Maj, 2018

schedule 14:25 - 3 Maj, 2018

Tirana do të bashkëpunojë me Firencen për ndriçimin publik dhe gjelbërimin. Kryebashkiaku i kryeqytetit Erion Veliaj dhe homologu i Firences, Dario Nardella firmosën marrëveshjen. Projekti i parë do të jetë ai për shtimin e biçikletave.

Nga një Qershori, katër mijë biçikleta do të jenë në dispozicion të qytetarëve në Tiranë. Kryebashkiaku Erion Veliaj nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me homologun nga Firence, Dario Nardella për këtë projekt.

“Duam të punojmë shumë për Smart City, si ta bëjmë Tiranën një qytet inteligjent. Në njëfarë mënyre kopjuam projektin nga Firence dhe jemi gati të fillojmë me biçikletat me qira në Tiranë, një sistem inovator, të cilin e kemi parë se si ka funksionuar perfekt në Firence. Projekti do të nisë në 1 Qershor dhe mandej, do të vijojmë me të gjitha projektet e tjera Smart City gjatë gjithë vitit”.

Kryetari i Bashkisë së Firences, Dario Nardella, vlerësoi projektet e përbashkëta me Bashkinë e Tiranës si ai për ndriçimin publik dhe projektin për shtimin e sipërfaqeve të gjelbërta.

“Po bashkëpunojmë me Tiranën për një projekt për ndriçimin publik dhe smart-city, të cilin e kemi shumë për zemër dhe jemi gati, së bashku me sipërmarrësit tanë, ndërmarrjet tona, për të investuar në këtë vend, pasi Italia dhe Shqipëria janë dy anë të së njëjtës medalje. Projekti i pemëve në Tiranë është një projekt që ka avancuar shumë. Unë kam vizituar shumë vende të Evropës dhe besoj se është sot projekti më ambicioz, sa i përket numrit të pemëve të mbjella në gjithë Evropën. Forca! Shikoj se ky qytet po rritet me ritme shumë të shpejta”.

Dy homologët vlerësuan se komuniteti shqitpar që jeton në Firence si dhe ai italian në Tiranë, janë një urë komunikimi mes dy vendeve, për ndërtimin e një raporti edhe më dinamik në të ardhmen.

Pjesë e diskutimit mes kryebashkiakut Veliaj dhe Nardellës ishte edhe zhvillimi i agroturizmit dhe mundësia për të hapur një shkollë të modë në Tiranë./abcnews.al