Tetë emra për tre skuadra, merkato e vrullshme në Superiore

schedule08:44 - 17 Gusht, 2020

schedule 08:44 - 17 Gusht, 2020

Emra pafund që lakohen në merkato. Madje edhe te Partizani që e ka ende të bllokuar merkaton. Arinaldo Rrapaj e ka gjetur marrëveshjen me të kuqtë prej kohësh, por te Flamurtari nuk e lënë të lirë me pretendimin se ka edhe një vit kontratë.

Mesfushori i është drejtuar Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve dhe pret që të dalë i lirë pas gjyqit. Te Partizani ndërkohë kërkojnë edhe lojtarë të tjerë për mesfushën dhe “Panorama Sport” veçon dy emra nga Bylisi: Valentino Murataj dhe Donald Mëllugja.  Të dy kanë spikatur vjet me ballshiotët dhe presidenti Besnik Kapllanaj zor se heq dorë prej tyre.

E njëjta gazetë shkruan edhe për një objektiv të Kukësit për mbrojtjen, si dhe për katër emra që janë në tavolinën e drejtuesve të Vllaznisë. Verilindorët po tentojnë të afrojnë Alban Pnishin për mbrojtësin.

Qendërmbrojtësi ka qenë pjesë e përfaqësueses së Kosovës, ndërkohë që në Zvicër ka luajtur me Wohlen dhe Grasshopper. Dy sezonet e fundit është aktivizuar në Izrael me Bnei Sakhnin dhe Bnei Yehuda.

Te Vllaznia situata është më e komplikuar, pasi nevoja për lojtarë është e madhe. Dy mesfushorë qendre lakohen si objektiva të shkodranëve. Njëri është mesfushori Erald Hyseni, që së fundmi ka qenë pjesë e Luftëtarit. Tjetri është Fjoart Jonuzi, i cili nga Laçi kaloi te Gjilani verën e shkuar dhe në Kosovë ka luajtur rregullisht si titullar.

Në skenë ka dalë edhe Arlind Kalaja, i cili pas largimit nga Vllaznia ka luajtur me Kukësin, Kastriotin e Teutës. Një dëshirë merkatoje është edhe Nazmi Gripshi, për të cilin drejtuesit kuqeblu duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët me Skënderbeun që e ka nën kontratë anësorin. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!