Rreth 65 % e efektivëve të policisë së kryeqytetit kanë dorëzuar formularët e vetëdeklarimit për procesin e Vettingut. Afati për këtë dorëzim përfundon të hënën e ardhshme. Ndërkohë mbi 100 efektivë në Tiranë kanë dhënë dorëheqjen nga policia.
Edhe pse data 1 Maj është pushim zyrtar për të gjithë administratën shtetërore nuk mund të thuhet e njëjta gjë për efektivët e policisë së Tiranës, të cilët nxitojnë për të dorëzuar formularët e vetëdeklarimit i njohur ndryshe si ligji i Vetting-ut.
ABC News bëri një vezhgim pranë drejtorisë juridike, ku edhe dorëzohen formularët dhe sic shihet numri i tyre është lartë.
Në drejtorinë vendore të policisë së Tiranës deri tani kanë dorëzuar formularët e vetëdeklarimit 65 për qind e punonjësve të policisë, pohojnë burime nga Policia e Shtetit. Ndërkohë sindikata e Punonjësve të Policisë thekson se, mbi një 100 efektive të kryeqytetit janë larguar duke mos pranuar t’i nënshtrohen procesit të Vettingut.
Për ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, Vettingu në radhët e policisë do të rrisë edhe besimin tek uniformat blu.
Fatmir Xhafaj: “Ne e kemi ndërtuar këtë proces që të jetë një proces sa më i lehtë dhe i mbështetur nga pikëpamja trajnimi dhe asistencës. E dyta, sepse ne e kemi lehtësuar nga të gjitha llojet e detyrimeve, që kanë për të mbledhur dokumente pa fund. Këto agjenci të rëndësishme ligjzbatuese siç janë, policia, prokuroria dhe gjykata që jep drejtësi ka për t’u dhënë ndëshkimin e duhur pastaj zyrtarëve që kanë abuzuar me pushtetin apo siç i quani ndryshe ju, apo siç quhet ndryshe me të drejtë, peshqve të mëdhenj”.
Në të 12 drejtoritë vendore të policisë me rreth 13 mijë efektive, kanë dorëzuar formularët e vetëdeklarimit mbi 70 për qind e punonjësve. /abcnews.al