“Sa nga ne do të jenë gati që të kuptohen me shqiptarët në një të ardhme”?

schedule13:44 - 28 Prill, 2018

schedule 13:44 - 28 Prill, 2018

Në një intervistë për mediat serbe, presidenti Aleksandër Vuçiç, ndër të tjera u shpreh i shqetësuar për faktin se shqiptarët në një të ardhme do të jenë më të shumtë në numër se serbët. Dhe do të jenë këta të fundit që do të humbasin nëse situata vijon të mbetet e tillë.

Beogradi nuk do të heqë dorë asnjëherë nga negociatat me Prishtinën, por nuk do të jetë i burgosur e as i frikësuar. Gjithashtu nuk do të ketë marrëveshje pa marrë asgjë në këmbim.

Kështu deklaroi Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, në një intervistë për mediat në vend.

“Dhe mund ta them i qetë, se nuk tërhiqem para Haradinaj apo atyre që qëndrojnë pas tij, as në Prishtinë, as në Beograd apo kudoqoftë. Kjo sepse e di ku jam dhe për çfarë jam”.

Kreu i shtetit serb shtoi se politika e tij ka të bëjë me jetën dhe në negociatat me Prishtinën prioritet është jeta e serbëve në Kosovë. Vuçiç theksoi se problem kryesor në këto negociata është fakti se ai po merret me njerëz dhe fuqi, për të cilët pavarësia e Kosovës është një çështje e mbyllur. Pavarësisht kësaj, ai e cilëson kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, si një zëdhënës i ideve të Shqipërisë e Kosovës, por mbi të gjitha i asaj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan të implementojnë.

“Le të mos harrojmë se sa guximtar do të kishte qenë Haradinaj nëse nuk do të kishte pas vetes fuqitë e rëndësishme të botës, ata që na mundën në vitin 1999 dhe shpallën pavarësinë e vendit. Pasi këto dyja nuk erdhën si rezultat i asaj që bënë Haradinaj dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës.”

Por nga ana tjetër Vuçiç tha se Serbia nuk është vetëm.

“Kjo nuk do të thotë se ne nuk kemi miq në botë, Rusia dhe Kina janë sigurisht vende mike, por në këtë fushë, në këto negociata, ne duhet të veprojmë veten. Duhet të përballemi me të gjithë dhe të themi qartë se çfarë duam.”

Presidenti serb ndër të tjera citoi Xhon Kenedin, sipas të cilit nuk duhet pasur frikë nga negociimi, por nga të qënit baza e këtyre negociatave. Dhe sipas Vuçiç kjo është shprehja më e gjetur për të përshkruar situatën aktuale të Beogadit, të cilit i thuhet ajo që është e imja nuk mund të jetë pjesë e negociatave.

E, jo. Edhe Haradinaj dhe ata që qëndrojnë pas tij duhet ta kuptojnë. Jo sepse negociatat nuk janë të tilla nëse nuk përfundojnë me kompromis. Çdo gjë tjetër do të ishte e pabesë dhe nuk do të zgjaste, duke sjellë pasoja të rënda. Henri Kisinger e thotë qartë këtë kur thekon se nuk mund të ketë negociata nën arrest. Dhe të gjithë duhet ta kenë të qartë se një i burgosur nuk mund të negociojë, dhe nëse e bën një kontratë e tillë nuk mund të jetë e vlefshme, askund.”

Kur gazetari e pyet nëse i pari që thotë një numër humbet negociatat, Vuçiç përgjigjet prerë se askush nuk do përmendë numra.

“E gjithë kjo zgjat prej shumë kohësh që secila nga palët të humbasë në një mënyrë kaq amatore. Është e vërtetë që po flasim gjatë gjithë kohës për vlera, çfarë ka vlerë për ne dhe për ata. Por në të dyja rastet vlera është shumë e madhe që të vendoset me numra. Nuk do të lejoj që në fund vlera jonë të këmbehet me numra.”

Ai shtoi se Kosova është vlerë e Serbisë, e paçmueshme, vendi i kulutrës serbe, monumenteve dhe historisë, por kjo nuk do të thotë që Beogradi do të masë vlerën me jetën e njerëzve.

“Sidomos jo me jetën e serbëve në Kosovë, por as të atyre në Serbi”.

Duke theksuar se nuk dëshironte të linte gurë varri pas tij, Vuçiç tha se kjo ishte pyetja më e neveritshme.

“Sa shumë viktima kemi lënë pas. Ndonjëherë duket se e vetmja përmasë që është e pranueshme këtu, ka të bëjë me numrin e varreve. Dhe më vjen ti pyes të gjithë nëse vërtet e dëshirojnë këtë gjë. Për hir të mitologjisë, famës imagjinare, një humbjeje të re apo për një fitoreje të kushtueshme, shumë nga ne nuk do të jenë më në jetë për ta përjetuar nëse ndodh. Dhe kjo gjë më frikëson, shumë sinqerisht.”

Sipas Vuçiç, për shumë kohë, serbët i janë kundërvënë njëri-tjetrit pa bënë re se po pakësohen, po zhduken. Duke përmendur se rreth 17 milionë bebe lindin çdo vit në Kinë, ndërsa në Rusi më shumë se një million e gjysëm, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës katër milionë, Vuçiç tha se në Serbi, kjo shifër është 60 mijë në vit.

“Shqiptarët e vegjël sot, me prindërit e të cilëve ne po kërkojmë një zgjidhje, nesër do të jenë të mëdhenj, dhe do të përballen me fëmijët tanë. Dhe nëse ne do të jemi aq të çmendur sa të humbasim rastin, ndoshta do të luftojnë mes tyre. Dhe këto numra do të ishin të pamëshirshëm. Pasi ka gjithmonë e më shumë shqiptarë e gjithnjë e më pak serbë”.

Vuçiç theksoi se numri i popullsisë përcakton dhe masën e suksesit ekonomik, aftësinë për tu mbrojtur si dhe për të realizuar objektivat në shërbim të interesave kombëtarë.

“Sa nga ne do të jenë të gatshëm nesër, që të kuptojnë shqiptarët? Apo do të përdorim keqkuptimet si një rast për konflikt të ri? E mendoj këtë sa herë flas për rritjen e lindshmërisë në vend, por dhe për gjetjen e një mënyre bashkëpunimi me shqiptarët”.

Presidenti serb shtoi se Serbia, Bosnja e Herceovina, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia janë gabime statistikore në hartën e madhe të botës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!