Ditën e djeshme, ish-portieri legjendar i Real Madrid, Iker Casillas, deklaroi tërheqjen nga futbolli i luajtur. Spanjolli, i cili në pesë sezonet e fundit aktivizohej me Porton në Portugali, i dha fund karrierës, dhe me siguri do të mbahet mend gjatë.
Të shumta ishin mesazhet drejt tij nga yje të futbollit botëror, madje nuk munguan dhe disa fjalë nga Lionel Messi. “Iker tërhiqet sot, por ai do të mbesë në historinë e futbollit përgjithmonë. Jo vetëm sepse ai ishte një simbol për La Liga, por edhe për shkak se ai arriti të fitojë gjithçka në nivel ndërkombëtar.
Ishe një portier spektakolar dhe ka qenë shumë e vështirë të të kishe kundërshtar. Tani që e mendoj, rivaliteti jonë ishte shumë i bukur dhe ne jepnim më të mirën nga vetja jonë sa herë që luanim kundër njëri tjetrit”, janë fjalët e kapitenit të Barcelonës, për Casillas.
Ata priten të jenë sërish rival, pasi presidenti i Realit, Florentino Perez, do t’i ofrojë një rol drejtues në klubin madrilen. Kujtojmë që Iker iu bashkua galaktikëve që në moshën nëntë vjeçare dhe aty ai arriti të fitojë çdo trofe të mundshëm. /abcnews.al