Një grua në Himarë është zhdukur në orët e para të mëngjesit të sotëm pasi bashkë me tre persona të tjerë kanë dalë për peshkim.
Ata janë zënë në befasi nga stuhia, e cila ka bërë që mjeti lundrues me të cilin ata udhëtonin të fundoset.
Dyshimet e policisë janë se gruaja me iniciale Mirela Rama mund të jetë mbytur, ndërkohë që janë shpëtuar familjarët e saj, bashkëshorti Robert Rama, djali i tyre Avdyl Rama dhe bashkëpunëtori i tyre Fatjon Resulaj.
Personat e shpëtuar janë dërguar në Jalë, ku i priste ambulanca e qendrës shëndetësore Himarë e njoftuar nga Policia Kufitare, dhe ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.
“Policia Kufitare dhe roja bregdetare shpëtojnë tre shtetas që rrezikuan të mbyteshin në det, të cilët kishin dalë për peshkim me një mjet të vogël lundrues, i cili u fundos.
Vijon kërkimi intensiv në det, për gjetjen edhe të një shtetaseje që ishte në bordin e këtij mjeti lundrues, e cila dyshohet se është mbytur.
Shërbimet e Policisë kufitare Dhërmi kanë marrë një telefonatë se një mjet lundrues ka dalë në det për peshkim dhe si pasojë e dallgëve të mëdha dhe motit të keq personat që ishin në bord rrezikonin të mbyteshin.
Shërbimet e Policisë Kufitare kanë dalë me mjetin lundrues menjëherë në drejtim të adresës së dhënë dhe kanë njoftuar edhe rojën bregdetare për ndihmë.
Si rezultat i operacionit të përbashkët të Policisë Kufitare dhe rojës bregdetare dhe ndihmës nga një mjet lundrues turistik i rastit, u bë e mundur të shpëtohen shtetasit R. R., F. R. dhe A. R., ndërsa shtetasja M. R. nuk është gjetur ende. Vijojnë kërkimet intensive me mjetet lundruese të Policisë Kufitare dhe të rojës bregdetare.
Personat e shpëtuar u dërguan në Jalë, ku i priste ambulanca e qendrës shëndetësore Himarë e njoftuar nga Policia Kufitare, dhe ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën”, njofton policia./abcnews.al