Vaksina kundër COVID-19, vendet e pasura janë të parat që përfitojnë

schedule10:43 - 4 Gusht, 2020

schedule 10:43 - 4 Gusht, 2020

Vendet e pasura kanë “bllokuar” tashmë më shumë se një miliard doza të vaksinave për koronavirusin, duke ngritur shqetësime se pjesa tjetër e botës do të mbetet “në fund të radhës” në këtë përpjekje globale për të mposhtur patogjenin.

Megjithëse grupet ndërkombëtare dhe disa shtete, po premtojnë të bëjnë vaksina të mjaftueshme për t’i përballuar të gjithë, dozat me siguri do të kenë vështirësi për të përballuar gjithë kërkesën në treg, në një botë me afro 7.8 miliardë njerëz. Mundësitë e vendeve më të pasura do të monopolizojnë furnizimin, një skenar që ndodhi dhe me pandeminë e gripit të derrit në vitin 2009 dhe kjo ka nxitur shqetësime midis vendeve të varfra.

Shtete e Bashkuara të Amerikës, Britania, Bashkimi Europian dhe Japonia kanë siguruar deri më tani rreth 1.3 miliardë doza, sipas firmës analitike me qendër në Londër, Airfinity.

“Edhe nëse ka një vlerësim optimist të përparimit shkencor, nuk ka ende vaksina të mjaftueshme për gjithë botën, tha Rasmus Bech Hansen, shefi ekzekutiv i Airfinity. “Duhet të merret parasysh, se në shumë raste mund të nevojiten edhe dy doza për një person.”

Studiuesit duket se janë në hapa të mbarë, por ka ende shumë gjëra për t’u vërtetuar: si fillim do të shihet se sa efektive do të jenë vaksinat, më pas a do të miratohen ato përfundimisht dhe si do procedohet me rritjen dhe shtimin e prodhimit. Furnizimi në të gjithë botën mund të mos arrijë në 1 miliard doza deri në tremujorin e parë të vitit 2022.

Organizata Botërore e Shëndetit, Koalicioni për Inovacionet e Përgatitjes Epidemike dhe Gavi, një organizatë ndërkombëtare e quajtur ndryshe Alenca Globale e Vaksinave, po punojnë së bashku për të sjellë një qasje të barabartë dhe të gjerë. Ata prezantuan nismën Covax, e cila synon t’ju japë qeverive të shumë vendeve, një mundësi për t’u mbrojtur nga rreziku duke ju dhënë akses në disa prej vaksinave, të cilat vetë këto vende nuk do të mund t’i përballonin dot.

Nëse qeveritë vendosin vetëm interesat e tyre personale në fillim, kjo mund të sjellë një rezultat më të keq për të gjithë, duke lejuar përhapjen e virusit, paralajmërojnë disa zyrtarë.

Rreth 78 vende kanë shprehur interes për t’u bashkuar me Covax. Për më tepër, më shumë se 90 vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme do të jenë në gjendje të marrin akses në këto vaksina nëpërmjet një programi të drejtuar nga Gavi. Ende ekziston shqetësimi se pjesa tjetër e botës, mund të mbetet mbrapa./abcnews.al