Kyrian Nwabueze dhe Laçi pritet të ndajnë rrugët, me kurbinasit që do të përfitojnë në aspektin financiar. Sulmuesi, autor i 24 golave në Superiore, u shpall golashënuesi më i mirë dhe pritet që të transferohet në një kampionat më të fortë.
Kalimi në Izrael është një opsion dhe sikurse raportojnë mediat atje, Nwabueze i është sugjeruar klubit të Hapoel Ber Sheva. Drejtuesit e këtij klubi e njohin mirë sulmuesin, pasi e kanë parë edhe në fushë verën e shkuar kur u përballën në Europa League.
Sulmuesi madje shënoi gol në ndeshjen e parë, që në debutimin e tij me Laçin. Nwabueze ka edhe një vit kontratë dhe Hapoel Ber Sheva do një zëvendësues për Ben Sahara (autor i 13 golave). Në ditët në vijim do të zbulohet më shumë në lidhje me këtë pistë merkatoje. /abcnews.al