Italia duket se ndodhet fare pranë zhbllokimit të ngërçit politik që prej zgjedhjeve të 4 marsit. Lëvizja 5 Yjet dhe Partia Demokratike po përafrojnë qëndrimet dhe shanset për një aleancë qeverisëse janë të mëdha.
Pas thuajse dy muaj nga zgjedhjet e përgjithshme, Italia duket se ka hyrë në binarët e duhur për krijimin e qeverisë. Personi i mandatuar nga presidenti Serxho Matarela për të negociuar krijimin e një koalicioni ka deklaruar se misioni i tij ka përfunduar me sukses. “Mandati eksplorativ ka patur rezultat pozitiv dhe misioni mbyllet këtu”, ka deklaruar Roberto Fiko, në përfundim të takimit të radhës me kreun e shtetit. Takimi i ardhshëm që pritet të konfirmojë lidhjen e aleancës mes Lëvizjes 5 Yjet dhe Partisë Demokratike është caktuar më 3 maj. “Dialogu mes dy partive ka nisur. Këto ditë do të ketë edhe dialogje brenda grupeve parlamentare, derisa të vijë përgjigjia e lidershipit të PD”, ka deklaruar Fiko. Ndërkohë, kryetari në detyrë i së majtës, Mauricio Martina ka deklaruar se mes palëve ka ende diferenca, por janë bërë shumë hapa përpara. Kryetari i 5 Yjeve, Luixhi di Maio ka kërkuar një përpjekje të fundit për zgjidhjen e ngërçit, ndryshe ka paralajmëruar rimbajtjen e zgjedhjeve. Ndërsa për liderin e Ligës së Veriut, Matteo Salvini, aleanca e mundshme mes dy partive ka tiparet e një telenovele. /abcnews.al