“Rritje të rasteve dhe viktimave”, Manastirliu: Grumbullimet dhe festat janë kthyer në vatra

schedule10:15 - 28 Korrik, 2020

schedule 10:15 - 28 Korrik, 2020

Me rritjen e rasteve të të infektuarve dhe shifrave të viktimave në vendin tonë, si pasojë e Covid-19, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, bën një tjetër apel për qytetarët.

Manastirliu shprehet se normaliteti i ri i shkaktuar nga COVID-19 kërkon pak më shumë vigjilencë në përditshmërinë tonë.

Po ashtu thekson se tashmë çdo pakujdesi e vogël, mund të na bëjë bartës të një sëmundjeje, që më pas ua transmetojmë prindërve, gjyshërve apo më të dobtëve.

“Realiteti kërkon “që të heqim dorë për ca kohë – deri kur pandemia të jetë mposhtur prej komunitetit mbarëbotëror të mjekëve dhe shkencëtarëve- nga grumbullimet dhe festat në turma, që sot janë kthyer në vatrat kryesore të përhapjes së infeksionit”, shprehet Manastirliu.

Statusi:

COVID-19

NORMALITETI I RI, që bota nuk e kërkoi vetë, por e solli koronavirusi dhe sëmundja që ai shkakton, COVID-19, kërkon prej të gjithëve ne, dhe sidomos prej më të rinjve pak, shumë pak.

Nuk kërkon sakrifica të mëdha, por pak më shumë vigjilencë në përditshmërinë tonë.

Kërkon që ta jetojmë ditën, si njerëz të përgjegjshëm, me merakun se çdo pakujdesi e vogël, mund të na bëjë bartës të një sëmundjeje, që më pas ua transmetojmë prindërve, gjyshërve, më të dobtëve.

Kërkon që të heqim dorë për ca kohë – deri kur pandemia të jetë mposhtur prej komunitetit mbarëbotëror të mjekëve dhe shkencëtarëve- nga grumbullimet dhe festat në turma, që sot janë kthyer në vatrat kryesore të përhapjes së infeksionit.

Kërkon që ta shohim distancimin fizik, jo si një mënyrë për t’u larguar nga të dashurit, por si një mjet për t’ua treguar edhe më fort dashurinë. Duke i mbrojtur.

Kërkon që të përdorim maskën atje ku distancimi është i pamundur, dhe të zbatojmë rregullat e higjenës kudo e çdo çast që e kemi të mundur.

NORMALITETI I RI kërkon nga ne pak, shumë pak.

Disa rregulla të thjeshta, por JETËSHPËTUESE!

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!