“Tifozët e Tiranës magjikë, i lumtur për titullin. Kalimi te Partizani? Pse jo”

schedule13:59 - 27 Korrik, 2020

schedule 13:59 - 27 Korrik, 2020

Lancinet Sidibe ishte një nga afrimet e Tiranës në merkaton e janarit. Mesfushori nga Guinea erdhi në huazim nga Besëlidhja, teksa ka provuar të luajë edhe për Flamurtarin, Teutën dhe Kukësin në Superiore.

23-vjeçari numëron 17 ndeshje dhe një gol të shënuar me bardheblutë, ekip me të cilin fitoi titullin kampion. Afrikani ka dhënë një rrëfim për players on focus, aty ku prek disa tema të ndryshme. Sidibe dëshiron të luajë përsëri me Tiranën, teksa nuk e mohon një kalim te Partizani.

FILLIMET – “Kam luajtur futboll që në moshë shumë të vogël. Në fillim e kisha pak të vështirë. Zgjodha rolin e mesfushorit, sepse edhe babai im ka luajtur në të njëjtin pozicion. Në fushë jam gjithmonë i qetë dhe tentoj të jap maksimumin sa herë që luaj”.

SHQIPËRIA – “Isha 18 vjeç kur zbarkova në Shqipëri. Transferimi u mundësua nga një menaxher, i cili erdhi në Guine për të më takuar dhe më solli këtu”.

MOMENTI MË I BUKUR – “Momenti më i bukur ishte vitin e kaluar, kur u kualifikuam në Europa League me Teutën. Më i vështiri? Përsëri vitin e kaluar. Pata shumë probleme, për gjashtë muaj nuk luajta fare, ndërsa gjashtë muajt e tjerë nuk luajta shumë”.

TIRANA – “Jam me të vërtetë i lumtur që u shpallëm kampionë Shqipërie. I jam falënderues Zotit dhe ekipit të Tiranës”.

FINALJA E KUPËS – “Është e rëndësishme ta fitojmë finalen me Teutën. Për historikun e klubit do të ishte e mrekullueshme të fitonim të dy trofetë e sezonit”.

TIFOZËT – “Do doja t’i falënderoja të gjithë tifozët e Tiranës. E kam ndjerë mbështetjen e tyre, është magjike dhe e pabesueshme. Janë pjesë e historisë time dhe nuk i harroj kurrë. Lidhja dhe mirënjohja ime ndaj qytetit të Tiranës janë të përjetshme. Të gjithë do të mbeten në zemrën time. Faleminderit edhe edukuesve të mi, Gjokë Noka (presidenti i Besëlidhjes) dhe trajnerëve Shpëtim Duro dhe Bledi Shkëmbi. Më mësuan futbollin, respektin, disiplinën dhe dashurinë për këtë lojë”.

E ARDHMJA – “Do të doja të isha sërish pjesë e Tiranës në sezonin e ardhshëm. Kalimi te Partizani? Po, pse jo“. /abcnews.al