Çmimet e naftës u rritën të mërkurën pasi dy anije u goditën në Ngushticën e Hormuzit.
Zyrtarët iranianë thanë se po përdorin taktika të reja duke shënjestruar anijet me qëllim të mbajnë çmimet e naftës të larta dhe të ndikojnë në zgjedhjet e mes mandatit të Shteteve të Bashkuara.
Nafta e papërpunuar brent në bursa arriti në rreth 106 dollarë për fuçi, duke u rritur me më shumë se 1% nga sesioni i mëparshëm.
Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, kufizimet në tregjet e naftës mund të vazhdojnë edhe deri në vitin 2027, pasi sulmet e reja të rebelëve Huthi ndaj Arabisë Saudite po pengojnë rimëkëmbjen e furnizimit të tregut global me naftë.
Analistë të tregut ngrenë shqetësimin se çmimet e naftës mund të rriten me 20 deri në 25 dollarë për fuçi për shkak të përshkallëzimit të konfliktit me Iranin.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të premten e kaluar se Rusia kishte rënë dakord të furnizonte me naftë tregjet globale dhe administrata e tij hoqi përkohësisht sanksionet mbi naftën ruse, të cilat synonin ta privonin Moskën nga të ardhurat për luftën e saj në Ukrainë.
Prodhimi I naftës bruto në Rusi është rritur me mbi 65 mijë fuçi në ditë, por mbetet shumë poshtë niveleve të një viti më parë.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë thotë se mungesa e kapacitetit operativ të rafinerisë ruse nënkupton se lehtësimi I kufizimeve të eksportit të naftës ruse nuk do të sjellë ndonjë ndryshim të madh në çmimet dhe në ekuilibrat e tregut të karburanteve.
/abcnews.al/


