Historia e shpëtimit të një familjeje hebreje gjatë Holokaustit, përmes ndihmës së shqiptarëve që rrezikuan jetën për ta mbrojtur, u soll në vëmendje në Tiranë përmes dokumentarit “Shpëtimi i Enit”, me autor ish-ambasadorin gjerman në Shqipëri dhe ish-kreun e Prezencës së OSBE-së, Bernd Borchardt.
Filmi rrëfen historinë e te mbijetuares hebrenje, Enit Altaratz, e cila në vitin 1943 u arratis nga Shkupi drejt Shqipërisë, për t’i shpëtuar perndjekjes dhe vrasjes nga nazistet gjate Holokaustit
Borchardt tregon se ideja për dokumentarin lindi gjatë kërkimeve mbi historinë e shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri.
Gjatë 7 viteve të shërbimit të tij në vend, ai kishte mësuar për këtë kapitull të historisë, por kishte konstatuar se ai ishte studiuar pak. Kërkimet në arkiva dhe intervistat me dëshmitarë e pasardhës të familjeve shpëtimtare bënë të mundur dokumentimin e historisë së Enit
“Një nga historitë që dëgjuam gjatë këtij procesi ishte pikërisht kjo histori. Ajo ishte aq e detajuar, saqë menduam se duhej të bënim diçka më shumë dhe ta trajtonim më gjerësisht”- tha ai.
Një prej elementeve që Borchardt veçon është rëndësia e dëshmive të drejtpërdrejta, veçanërisht kur ato vijnë nga persona që i kanë përjetuar vetë ngjarjet.
“Mendoj se informacioni i drejtpërdrejtë, në këtë rast nga një person që e ka përjetuar historinë, si dhe informacioni që vjen nga familjet, ka një vlerë të jashtëzakonshme. Kjo sepse është autentik” u shpreh Borchardt
Në aktivitet u diskutua edhe rëndësia e kujtesës historike, në një kohë kur antisemitizmi dhe mohimi i Holokaustit vijojnë të jenë shqetësime ndërkombëtare. Valentina Leskaj vlerësoi rëndësinë e dokumentimit të këtyre historive
“Ne jemi krenarë për atë që shqiptarët kanë bërë jo vetëm gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe më herët. Marrëdhëniet tona me hebrenjtë nuk kanë nisur gjatë Luftës së Dytë Botërore, por kanë filluar shumë më parë, që në vitet 1930”, tha Leskaj.
Dokumentari rindërton arratisjen e familjes nga Shkupi drejt Tiranës, me ndihmën e një tregtari shqiptar nga Kosova. Fillimisht, familja u strehua nga miq në Shkup dhe më pas gjeti mbrojtje në Shqipëri, ku familjet shqiptare morën përsipër rrezikun e fshehjes së tyre nga autoritetet pushtuese.
Përmes historisë së Enit, dokumentari sjell në vëmendje guximin dhe solidaritetin njerëzor në një prej periudhave më të errëta të historisë evropiane, duke rikthyer në vëmendje një kapitull që synon të ruhet dhe t’u përcillet brezave të ardhshëm./abcnews.al


