Autoritetet në Shtetet e Bashkuara urdhëruan Kinën të mbyllë konsullatën e saj në Hjuston të Teksasit brenda së premtes, një lëvizje e cilësuar si “provokim politik” nga Pekini.
Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi se vendimi u mor për të mbrojtur pronën intelektuale amerikane dhe të dhënat private të qytetarëve amerikanë.
Deklarata erdhi pasi persona të paidentifikuar u filmuan teksa digjnin letra në disa konteinerë në kopshtin e selisë diplomatike.
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Morgan Ortagus tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të tolerojnë shkeljen e sovranitetit dhe frikësimin e popullit të saj nga taktikat e pandershme të Republikës Popullore Kineze.
Nga ana tjetër, Kina e quajti vendimin një “përshkallëzim të paprecedentë”, duke thënë se ai shkel ligjin ndërkombëtar.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme i bëri thirrje Uashingtonit që të heqë dorë nga fajësimi i Kinës për një sërë çështjesh.
Ai kërkoi që administrata amerikane të rishikojë vendimin e saj, duke paralajmëruar se, nëse vijon në këtë rrugë, Pekini do të ndërmarrë masa të ngjashme./abcnews.al

