Sa i takon Kosovës raport-progresi i BE-së vlerëson se shteti i vogël ballkanas është ende larg hapjes së negociatave të anëtarësimit. Në dokument, Kosovës i bëhet thirrje të vijojë me përmbushjen e kritereve dhe të zbatojë marrëveshjet me Serbinë.
Kosova duhet të vazhdojë rrugën e përmbushjes së kritereve europiane përpara se të llogarisë hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE. Kështu thotë progres-raporti i publikuar të martën, në të cilin thuhet se sundimi i ligjit, ekonomia e lirë dhe përshtatja e legjislacionit vendas me atë të BE-së mbeten parakushtet kryesore në procesin e integrimit.
Në reagimin e saj, shefja e Politikës së Jashtme të BE, Federica Mogherini ka deklaruar se, Prishtina duhet të vijojë zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun me Serbinë. Në këtë aspekt, Mogherini ka vlerësuar nisjen e procesit për krijimin e Shoqatës së Komunave Serbe.
Ndërkohë, ambasadorja e BE-së në Prishtinë, Natalija Apostolova, e cila u ka dorëzuar raportin autoriteteve lokale, nuk ka qenë në gjendje të thotë nëse 2018-a do të jetë viti i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Diplomatja e BE-së ka bërë me dije se javën e ardhshme Brukseli do të dërgojë në Kosovë një grup ekspertësh, të cilët sipas saj do të bëjnë vlerësimin e fundit dhe më pas do të raportojnë tek Komisioni Europian. Ajo ka nënvizuar se liberalizimi i vizave varet nga progresi i vetë Kosovës dhe ajo çka do të vendosin vendet anëtare të Unionit.
Në komunikimin e saj, Apostolova ka komentuar edhe arrestimin e politikanit serb Marko Gjuriç, episod të cilin nuk e ka cilësuar si provokim, por një incident të pafat që ka ndodhur 3 ditë nga seanca e radhës e dialogut të nivelit të lartë Kosovë-Serbi.
Ndërsa sa i takon mundësisë së zgjedhjeve të reja, ajo u ka bërë thirrje autoriteteve që të mendohen dy herë, pasi mbajtja e zgjedhjeve para kohe dëmton procesin e reformave. Në reagimin e tij, presidenti Hashim Thaçi ka deklaruar se Kosova mbetet e përkushtuar për zbatimin e reformave evropiane dhe të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.
“Tani, pa humbur kohë, të gjitha institucionet duhet të reflektojnë mbi përmbajtjen dhe konstatimet e raportit, në mënyrë që të adresohen problemet dhe sfidat e evidentuara”, ka thënë Thaçi në Facebook. /abcnews.al