Klubi i Chelsea nuk i beson më portierit Kepa Arrizabalaga. Spanjolli erdhi dy vite më parë në ‘’Stamford Bridge’’ me shumë bujë, pasi transferimi i tij hyri në histori dhe spanjolli u bë portieri më i shtrenjtë. Këto dy sezone nuk ishin më të mirat për Kepan, pasi ishin të mbushura me polemika, gafa dhe tashmë drejtuesit po e mendojnë seriozisht largimin e tij.
Objektivi më i ri për portën është gardiani i Atletico Madrid, Jan Oblak. Sipas raportimit të ‘’Mirror’’, londinezët i kanë propozuar madrilenëve 100 milion eurove (rekord për një portier), ose shkëmbimin e portierëve plus para. Slloveni cilësohet si portieri më i mirë në botë dhe Atletico nuk dëshiron të heqë dorë nga ai, por problemet financiare të shkaktuara nga pandemia mund të jetë arsyeja e vetme se pse ato mund ta pranojnë ofertën e Chelsea.
Blutë e Londrës kanë pësuar plot 59 gola në këtë sezon, shifër kjo relativisht e lartë për to. Në muajt e fundit është folur në media dhe për një interesim të Chelseas për portierin e Ajaxit, Andre Onana. Ende nuk ka asnjë ofertë zyrtare për asnjë nga portierët, por më shumë do të mësojmë në ditët në vijm se cili do të jetë zgjedhja përfundimtare e drejtuesve të londinezëve për gardianin në sezonin e ardhshëm. /abcnews.al