Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka folur sërish në mediat italiane dhe ka deklaruar se ndeshjet e kthimit të fazës së 1/8-ve të Champions League nuk do të luhen në fusha neutrale.
Në një prononcim për Radio “Kiss Kiss Napoli”, kreu i qeverisë së futbollit thekson se Barcelona kërkon të luajë në fushën e vet, ndërsa konfirmon se nuk ka ndryshime sa i përket kalendarit për fazën finale të këtij kompeticioni.
“Mund t’ju konfirmoj, se për momentin, ndeshjet e kthimit të fazës së 1/8-ve të Champions League nuk do të luhen në fusha neutrale. Barcelona kërkon të luajë në fushën e saj dhe me aq informacion sa kam, po bën përpjekje për të pasur tifozë të pranishëm në stadium. Gjithçka do të varet nga ecuria e kurbës epidemiologjike”.
Lidhur me fazën e “Final Eight” të Champions, kreu i FSHF shton: “Ndeshjet e fazës finale do të luhen në Lisbonë, gjithmonë nëse nuk do të ketë ndonjë ndryshim të imponuar nga pandemia Covid-19”.
Në fund, edhe një koment për të ardhmen e futbollistit Elseid Hysaj: “Nëse do të qëndrojë te Napoli do të isha shumë i lumtur. Do të isha i lumtur edhe për Kombëtaren tonë, sepse vazhdimi i karrierës te Napoli do të kishte vetëm anë pozitive për Hysajn”. / abcnews.al