Qeveria ka nisur konsultimet me komunitetet lokale për kontratën konçesionare të mirëmbajtjes së rrugës Milot-Morinë. Zv.ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Artan Shkreli në bashkëbisedimin me banorë të Tropojës u tha se janë parashikur lehtësi për transportin publik dhe përdoruesit e shpeshtë.
Pasi u njoh me pretendimet e banorëve të Tropojës për tarifën e kalimit në Rrugën e Kombit, zëvendësministri i infrastrukturës dhe energjisë Artan Shkreli i sqaroi se qeveria ka menduar për ta.
“Për sa i përket atyre që nuk përdorin makinat private dhe këtu fus njerëz që janë shumë në nevojë, fus student, njerëz që marrin transportin publik apo të moshuarit, natyrisht kjo do të ketë një trajtim të veçantë dhe preferencial. Gjithashtu, për përdoruesit e shpeshtë do të shohim një formulë që këta njerëz siç foli dhe zotëria që shkon disa herë në muaj në Tiranë apo që shkojnë shumë herë në vit se nuk është e thënë të shkojnë patjetër dy herë në javë, të krijojmë një fashë për këta njerëz dhe mënyrën si identifikohen ata tek pjesa ku paguan. Do të bëjmë dhe disa matje të tjera për të kuptuar se çfarë do të thotë përdorues i shpeshtë i rrugës”.
Në Tropojë, zv/ministri Shkreli u prit në një takim edhe nga Kryebashkiaku Besnik Dushaj të cilin jo vetëm e informoi por edhe i kërkoi që të bien dakord se tarifa duhet të pagohet.
“Besoj se do të arrijmë në një formulë të atillë që nga njëra anë tarifa të paguhet por nga ana tjetër, njerëzit pra shtresat apo grupet e ndryshme të cilët nuk e kanë këtë mundësi, të lehtësohen në këtë pagesë. Problemi është që ne, dhe këtë nuk e them për Rrugën e Kombit, duhet të mësohemi se ajo që ndodh në botë ndodh edhe tek ne por ne jemi me një hap vonesë qoftë në të mirat apo edhe efektet anësore që kanë”, nënvizoi Shkreli.
Këto konsultime të drejtuesve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë do të vazhdojnë edhe në bashkitë e tjera të Qarkut të Kukësit. /abcnews.al