Në Tropojë, disa shtëpi nuk kanë qenë thjesht shtëpi. Në vitet e luftës në Kosovë, ato u kthyen në pika strehimi, takimi dhe mbështetjeje për djemtë që vinin nga përtej kufirit. Sot, disa prej këtyre vendeve janë ende aty. Dhe bashkë me to, edhe kujtimet e atyre që i kanë përjetuar nga afër ato vite.
“Shkojmë tek baza e Abedin Berishës. Na ka shërbyer atëherë si bazë. Ishin fillimet e njësisë guerile.”
Ishin ditët e para të organizimit të grupeve që do të përfshiheshin në luftën për çlirimin e Kosovës. Tropoja, për shkak të afërsisë me Kosovën, u kthye në një pikë të rëndësishme të këtij organizimi.
“Këtu ka lënë gjurmë, sepse me formimin e grupit të parë të armatosur, Sali Çekaj, hero i Kosovës… Në këtë grup, si bërthamë e kësaj njësie, ishte edhe Ismet Çekaj, Saim Tahiraj, Zenun Idrizi, Ismet Mehmetaj, Rustem Ruci e shumë të tjerë që ishin pjesë përbërëse e këtij grupi të armatosur, i cili thirrej Gueril, grupi i Deçanit.”
Por përtej organizimit dhe emrave të luftëtarëve, kjo histori ka edhe një tjetër anë.
Ajo e njerëzve të Tropojës që hapën dyert e shtëpive të tyre. Një prej këtyre vendeve ishte shtëpia e Ahmet Berishës.
“Kjo është shtëpia e Ahmet Berishës. Këtu ka qenë, falë Ismetit, baza e parë e jona, edhe për logjistikë, edhe për kontakte me njerëz, për shplodhje. Kemi gjetur bukë, kripë dhe zemër.”
Në këto shtëpi gjendej edhe mbështetja e njerëzve që kishin zgjedhur të ndihmonin. Dhe bazat nuk ishin vetëm në një pikë.
“Kemi pasur shtëpinë edhe në Viçidol. Kemi këtë fotografi të Ismetit, ku është bashkë me Shpend Çelën dhe Agron Tafajn. Ismeti ka pasur kontakte me ta.”
Viçidoli ishte një tjetër pikë e rëndësishme e kësaj historie.
Këtu, kujtimet nuk lidhen vetëm me strehimin, por edhe me njerëzit që vinin nga Kosova dhe hynin e dilnin në shtëpitë e banorëve të zonës.
“Këtu kanë ardhur nga Kosova djemtë për të na takuar. Ka ardhur grupi i Ismet Çekut e shumë të tjerë. Kanë ardhur fillimisht në shtëpi. Ismet Çeku ka ardhur tek shtëpia jonë fillimisht. Kanë ardhur e kanë hyrë e kanë dalë vazhdimisht.”
Por ndërsa lufta po intensifikohej, edhe organizimi i luftëtarëve po ndryshonte.Nga grupet guerile, struktura do të kalonte drejt njësive operative të UÇK-së.Dhe një prej vendeve ku kjo histori ka lënë gjurmë është pikërisht shkolla e Viçidolit.
“Jemi në shkollën e Viçidolit. Në fillim të vitit 1998 merret vendimi nga Kosova që të kalohet nga njësi guerile në njësi operative të UÇK-së. Kjo shkollë është vendi ku bërthama e grupit, me në krye Tahir Zemajn, Sali Çekajn edhe oficerë të tjerë, kanë ardhur fillimisht këtu.”
Nga këtu, rrugëtimi do të vijonte drejt Papajt.
Aty do të zgjerohej struktura e luftëtarëve, do të bëhej betimi dhe më pas do të niste marshimi drejt Kosovës.
“Që këtu kemi kaluar në një vend tjetër, në Papaj. Aty është rritur brigada dhe është bërë betimi. Dhe nga Papaj kemi marshuar drejt Kosovës, në Junik, e kemi rënë deri te Rrafshi i Dukagjinit.”
Por përpara se të niseshin drejt Kosovës, pas tyre mbeteshin dhjetëra pika mbështetjeje në Tropojë.
“Këtu jemi te Kulla e Naim Haxhisë, një nga bazat për armatimet e grupit Gueril. Kjo zonë ka qenë me shumë baza. Krijoheshin shumë baza sepse ndihmohej lëvizja e ushtarëve e guerilasve. Kemi pasur pika të ndryshme.”
Sot, shumë prej këtyre vendeve duken të heshtura. Por për njerëzit që i kanë jetuar ato vite, çdo shtëpi dhe çdo kullë mbart një histori.
“Kanë ardhur Ismeti me gjithë shokë që kanë organizuar luftën, kanë bërë mund të jashtëzakonshëm për të çliruar Kosovën. Mirënjohje të thellë për mundin e sakrificën. Duket sikur ju kemi harruar, por kurrë s’ju harrojmë.”


