Rusia ka paralajmëruar SHtetet e Bashkuara lidhur me ndonjë sulm të mundshëm në Siri. Ambasadori i Moskës në Liban ka njoftuar se ushtria e Kremlinit do të rrëzojë çdo raketë amerikane.
Rusia i ka bërë thirrje SHBA-ve që të shmangin ndërmarrjen e veprimeve ushtarake në kundërpërgjigje për sulmin e dyshuar me armë kimike në Siri. “Iu kërkoj edhe njëherë që të përmbaheni nga planet që po zhvilloni aktualisht”, u shpreh ambasadori i Moskës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Vasili Nebenzia. Ai paralajmëroi Uashingtonin “se do të mbajë përgjegjësi për çdo aventurë ushtarake që mund të ndërmarrë”.
Ndërsa një kërcënim shumë serioz ka ardhur nga i dërguari i Rusisë në Liban, Alexander Zasypkin. Ai thotë se ushtria e Kremlinit rezervon të drejtën për të rrëzuar dhe shkatërruar raketat e lëshuara nga SHBA në Siri. Gjithashtu kërcënoi se do të shkatërrohen mjetet të cilat do të lëshojnë raketat që do të sulmojnë regjimin sirian.
Nga ana tjetër, liderët perëndimor thonë se janë dakordësuar që të punojnë sëbashku për të goditur përgjegjësit për sulmin në Duma të Gutës Lindore. Presidenti francez, Emmanuel Macron njofton se çdo sulm i mundshmë do të godasë magazinat e qeverisë siriane me armë kimike. Presidenti amerikan Donald Trump ka premtuar një kundërpërgjigje shumë të ashpër, dhe pikërisht për këtë po diskuton me administratën e tij.
Ndërkohë, akvistët e opozitës siriane, ekipe të shpëtimit dhe disa mjekë njoftojnë se rreht 100 persona kanë humbur jetën në një sulm të dyshuar me armë kimike në qytetin Duma të kontrolluar nga rebelët në rajonin e Gutës Lindore. Qeveria e presidentit Bashar al-Assad, e cila mbështetet nga Rusia, mohon të ketë kryer ndonjë sulm të tillë. Ndërkohë, këto zhvillime vijnë pasi Këshilli i Sigurisë në OKB dështoi të miratonte ndonjë masë që do të vendoste nisjen e ndonjë hetimi për rastin në fjalë. Si shtete permanente të këshillit, Rusia dhe SHBA bllokuan me anë të vetos propozimet e njëri-tjetrit për zhvillimin e një hetimi të pavarur. Në dokumentin e Uashingtonit kërkohej lejimi i hetuesve të fajësonte autorët e sulmit të dyshuar me armë kimike, ndërsa version i Moskës do t’ia linte këtë në dorë Këshillit të Sigurisë. /abcnews.al