Britania e Madhe u ka bërë thirrje shtetasve të saj që ndodhen në Kosovë të tregojnë kujdes dhe të shmangin turmat e mëdha dhe demonstratat, në kuadër të tubimeve që priten gjatë kësaj jave.
Në këshillën e përditësuar për udhëtime, Qeveria britanike njofton se tubime të mëdha priten në Prishtinë dhe në qendra të tjera urbane të Kosovës, përfshirë edhe 16 shtatorin, ditën kur pritet të shpallet aktgjykimi për ish-krerët e UÇK-së.
Sipas autoriteteve britanike, tubimet mund të shkaktojnë pengesa në qarkullim dhe vështirësi në transportin publik.
Shtetasve britanikë u rekomandohet të ndjekin rregullisht zhvillimet lokale, të planifikojnë më shumë kohë për udhëtim dhe të qëndrojnë larg turmave të mëdha apo demonstratave.
“Gjatë javës së ardhshme, përfshirë datat 12 dhe 16 shtator, do të ketë tubime të mëdha në Prishtinë dhe në qendra të tjera urbane. Kjo mund të shkaktojë pengesa, përfshirë ndërprerje në trafik dhe në transportin publik”, thuhet në këshillën britanike.
/abcnews.al/

