Nënpresidenti amerikan Mike Pence fajësoi të rinjtë, se duke injoruar paralajmërimet për masat parandaluese, janë bërë shkaktarë për rritjen e rasteve të konfirmuara të koronavirusit në vend.
Nënpresidenti Pence, në një intervistë në emisionin “Face the Nation” të kanalit CBS, tha se “padyshim” që rritja e numrit të testimeve në Shtetet e Bashkuara ka çuar në rritjen e infeksioneve të koronavirusit. Por ai tha se “të rinjtë amerikanë janë grumbulluar duke injoruar udhëzimet federale për fazat e rihapjes së bizneseve.”
Numri i rasteve të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara është rritur ndjeshëm ditët e fundit, veçanërisht në Florida, Teksas dhe Arizona, shtete që ndodhen në një distancë të madhe mes njëri-tjetrit. Në total, Shtetet e Bashkuara raportuan më shumë se 40,000 raste të reja të premten, një rekord ditor i pandemisë në Amerikë në gjatë gjashtë muajt e fundit.
Zoti Pence ka anuluar udhëtimet për tubime politike të planifikuara për këtë javë në Florida dhe Arizona për shkak të rritjes së numrit të rasteve në këto dy shtete.
Pence tha se Shtetet e Bashkuara janë më të përgatitur për të trajtuar në spital një numër më të madh të pacientëve me koronavirus sesa ishin në fillim të vitit.
Por, ai tha se Presidenti Donald Trump dhe ai mbështesin masat e marra nga guvernatorët në Florida dhe Teksas për të mbyllur përsëri lokalet për të parandaluar mbledhjen e njerëzve që nuk respektojnë rregullat e distancimit fizik prej të paktën dy metrash dhe përdorimin e maskave.
Ai gjithashtu tha se administrata e Presidentit Trump nuk mendon se është e nevojshme që të imponohen udhëzime kombëtare të detyrueshme për përdorimin e maskave.
Presidenti Trump rrallëherë ka përdorur maskën.
“Ne besojmë se njerëzit duhet të përdorin maska kudo që distancimi fizik nuk është i mundur, kudo që rekomandojnë autoritetet shtetërore ose ato vendore”, tha zoti Pence.
Shtetet e Bashkuara deri më tani kanë regjistruar më shumë se 2.5 milionë të infektuar dhe më shumë se 125,000 viktima. Zyrtarët e shëndetësisë kanë parashikuar mijëra vdekje nga koronavirusi në muajt e ardhshëm./abcnews.al