Kreu i grupit parlamentar demokrat, Edmond Spaho, ka deklaruar për mediat atë çfarë ndodh brenda sallës së gjyqit, të mbyllur për gazetarët. Sipas tij dëshmia e të ndaluarve tregon qartë fytyrën e kësaj qeverie që dhunon të varfrit kur ata ngrenë zërin për të drejtat e tyre.
“Nga dëshmitë del që të arrestuarit janë marrë natën, me dhunë, zvarrë, zbathur. Nuk i kanë lejuar të marrin as sendet më të domosdoshme personale. Janë goditur, janë dhunuar, janë mbajtur në kushte skandaloze në qeli, kur i kanë futur. Të gjithë janë të papunë. Vetëm një deri më tani ka rezultuar shofer furgoni. Njerëz që deklarojnë se kam ardhur në protestë, sipas thirrjes së Këshillit Bashkiak të Kukësit. Kjo është fytyra e vërtetë e këtij regjimi narko-trafikantësh, i cili dhunon dhe burgos qytetarët e tij. Dhunon opozitën, dhunon deputetët e Kuvendit të Shqipërisë në tentativë për t’u mbajtur me kthetra pas kolltuqeve dhe pas pushtetit që kanë marrë për dhunë. Por mos të besojnë dhe mendojnë që do ta kenë të lehtë. Përballë do kenë qytetarët”, tha Spaho.