Disa protestues të Rrugës së Kombit janë shoqëruar nga policia dhe Forcat Speciale të Tiranës. Aksioni është bërë gjatë natës, ndërkohë që prokuroria ka gati listën për ekzekutimin e arrestimeve.
Këto shoqërime u paralajmëruan një ditë më parë menjëherë pasi kishte përfunduar protesta, e cila degradoi në përplasje me policinë dhe prishje të objekteve që ishin ngritur për aplikimin e tarifës së rrugës. Mëngjesin e sotëm disa banorë u mblodhën para komisariatit të Kukësit dhe treguan se nuk dinin asgjë për njerëzit e tyre që i kishin marrë natën.
Bujar Muçmata: “Forcat e shumta policie që mbërritën mbrëmë në Kukës kanë zhvilluar operacione gjatë natës. Të paktën sipas familjarëve që pretendojnë se familjarët e tyre janë arrestuar dhe shoqëruar në Policinë e Kukësit. Ende nuk ka një deklaratë nga drejtoria e Policisë së Qarkut Kukës në lidhje me këto aksione. Gjithsesi jemi në pritje të një deklarate të mundshme”.
Banori 1: “Në orën 4 të mëngjesit ka ardh polica, na është futur në shtëpi dhe kanë kërku dy djemtë. Njëri, i vogli është në arrest shtëpie, ka katër muaj. I madhi nuk ndodhet se ka shkuar në Tiranë për t’u bë operacion për variçet. Ka ndodh që është gjend atje te tuneli dhe e kan ndal atje, si të tjerët. Mirëpo, djalin e vogël në arrest ma morën dhe unë nuk e di se ku është”.
Banorja 2: “Erdhën në 4 të natës na nxorrën prej shtëpisë. Qenë duke më marrë edhe mua me vete, se ka shku në protestë Eltoni”.
Banori 3: “Kush ka bërë gjë le t’i marrin. Ne s’na duhet gjë ajo punë. Ne s’kena ardh me shkatërru asgjë se është pronë private, jo pronë e përbashkët si thotë ai shefi jonë, ai i gjati. Mbase është e atij, s’na hyn ajo pjesë. Ne na duhet pjesa jonë. Kena dal me protestu se për ne, taksa 5 euro është shumë barrë e rëndë”./abcnews.al