E përfshirë nga protestat, SHBA përballet dhe me frikën e krijimit të vatrave të reja të infektimit me koronavirus si pasojë e grumbullimeve masive. Sipas studiuesve në vend, protestat krijojnë 3 mijë raste të reja infektimi në ditë nëse do të llogaritej që në të gjithë vendin janë 600 mijë protestues. Gjë që do të nënkuptonte 1100 viktima më shumë.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Hong Kong, Itali dhe në vende të ndryshme të botës ka pasur manifestime për shumë arsye. Pavarësisht se në të gjithë botën këshillohet një distancë e caktuar sociale dhe përdorimi i maskës për të mos përhapur epideminë, këto manifestime jo gjithmonë duket se janë të sigurta nga këndvështrimi shëndetësor. Dhe përtej arsyes së ligjshme për të protestuar janë të shumtë ata që pyesin nëse këto organizime do të mund të krijojnë vatra të reja infektimi. Grumbullimet masive sigurisht që favorizojnë qarkullimin e virusit, dhe për këtë arsye ishin të ndaluara gjatë mbylljes së vendit. Madje nga ana epidemiologjike, sa më shumë njerëz të ketë aq më keq është.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku protestat janë masive dhe vijojnë prej ditësh, në një vend që epidemia nuk ka përfunduar aspak, disa studiues janë përpjekur të bëjnë disa llogari. Trevor Bedford, virolog në Seatle shprehet se në Gjermani, ata që kishin marrë pjesë në festimet e karnavaleve, kishin shtuar me 2.5 nivelin e infektimit. Mbajtja e maskave dhe protesta në ajër të pastër ndihmon, por të bërtasësh dhe të rrish ngjitur me të tjerët, vetëm sa shtojnë mundësinë e infektimit.
Hipoteza e tij personale nis nga 20 mijë raste në ditë të konfirmuara në SHBA për një total prej 1 milion e 500 mijë të infektuarish. Kjo sipas tij përbën 0.5 për qind të popullsisë. Të llogarisësh protestuesit është e vështirë, por le të mendojmë se janë 600 mijë në ditë në të gjithë territorin amerikan. Me një mesatare prej 0.5 për qind do të kishim 3 mijë të infektuar që marrin pjesë përditë në protesta.
Pra janë 3 mijë infektime në ditë si pasojë e protestave duke prekur kryesisht të rinjtë dhe të shëndetshmit. Këto 3 mijë infektime do të shkaktonin dhe tre mijë infektime të tjera në komunitetin ku ndodhen duke nënkuptuar deri në 30 viktima. Nëse do të kishte një mesatare më të lartë infektimi atëherë do të kishte 6 mijë raste të reja përditë nga protestat. Nëse do të konsiderohej se disa nga hallkat e transmetimit arrijnë në kalimin 3 dhe më shumë, 3 mijë infektimet ditore do të shkaktonin 54 mijë të tjera dhe rreth 540 viktima.
Ndërsa me 6 mijë infektime ditore do të priteshin 108 mijë infektime sekondare dhe më shumë se një mijë viktima. Sipas skenarit më të mirë çdo ditë proteste me 600 mijë pjesëmarrës do të shkaktonin 200 deri në 1100 më shumë viktima Duke përgjithësuar, për çdo një mijë persona që marrin pjesë në një grumbullim masiv gjatë kësaj periudhe pandemie, mund të ketë një viktimë më shumë./abcnews.al


