Ekspertët: Spiunazhi rus është sofistikuar gjatë epokës “Putin”

schedule18:27 - 29 Mars, 2018

schedule 18:27 - 29 Mars, 2018

Ekspertë të shërbimeve të inteligjencës në Shtetet e Bashkuara shprehen skeptikë ndaj vendimit të Presidentit Trump për të dëbuar diplomatët rusë. Sipas tyre, kjo masë ka fare pak gjasa që të dëmtojë aktivitetet e spiunazhit “Putinian” në Amerikë.

Vendimi i administratës amerikane për të dëbuar 60 diplomatë rusë të akuzuar si spiunë ka pak gjasa që të dëmtojë spiunazhin rus në Shtetet e Bashkuara. Kjo pasi, siç thonë zyrtarë e ish-zyrtarë të shërbimeve sekrete amerikane, të tjerë kanë shtruar rrugën e tyre për të hyrë në kompanitë amerikane, shkollat dhe madje institucionet qeveritare.

Shërbimet inteligjente të Moskës përdorin ende ambasadat dhe konsullatat për ushtrimin e spiunazhit, sikurse bën edhe Uashingtoni, por ata gjithashtu rekrutojnë emigrantë rusë, hapin biznese për të mbuluar aktivitetet e tyre e madje rekrutojnë edhe amerikanë për të depërtuar në rrjetet kompjuterike.

“Rusia dikur kishte një mënyrë për të bërë punët e saj. Sot, Putin ka bërë që të lulëzojnë mijëra mënyra”, thotë një ish-oficer.

Në një intervistë për agjencinë “Reuters”, në kushte anonimati, ish-zyrtari e përshkruan spiunazhin e sotëm rus nën drejtimin e Putin si një rrjet me shumë fytyra. Është FBI që monitoron lëvizjet dhe komunikimet e të dyshuarëve si agjentë të huaj, por me rritjen e pranisë ruse dhe metodat e kodifikuara të komunikimit, sfida për të bëhet edhe më e vështirë. I pyetur nëse identifikimi i spiunazhit rus është i vështirë, një zyrtar i shërbimeve amerikane thotë se është më tepër komplekse sesa e vështirë.

“Sot është më komplekse. Dhe ky kompleksitet vjen për shkak të teknikave që mund të përdoren”, thotë zyrtari, edhe ai në kushte anonimati.

Nga ana tjetër, edhe aparatet amerikane të kundërspiunazhit kanë avancuar, me njerëz dhe mjete që arrijnë të gjurmojnë personat e dyshuar. Por sërish vështirësitë janë të mëdha. Duhen të paktën 10 ose më shumë agjentë të përgatitur dhe oficerë të forcave të policisë për të mos ia ndarë sytë një spiuni të stërvitur, duke mbikëqyrur hyrje-daljet e ndërtesave, ashensorët, si dhe të kujdesen për të vënë re ndërrimin e rrobave, makinave dhe madje modelit të flokëve./abcnews.sl