Luis Suarez është gati për të zbritur në fushë. Bomberi i Barcelonës ka lënë pas krahëve dëmtimin e pësuar në derbin e janarit kundër Atletico Madrid (Superkupa e Spanjës). Uruguaiani përfitoi nga periudha që nuk u luajt dhe është rikuperuar.
Në një prononcim për faqen zyrtare të klubit katalanas, Suarez ndalet edhe te situata e vështirë që krijoi COVID-19. Shumë njerëz humbën jetët e tyre, por gjendja është stabilizuar disi. Në fund një koment për ndeshjet pa tifozë, gjë e vështirë për t’u pranuar nga lojtarët.
“Kam lënë pas dëmtimin e pësuar në fillim të vitit, jam rikuperuar plotësisht. Ndërprerja e detyruar e kampionatit, më ndihmoi të shërohem më mirë. Kemi kaluar një periudhë të errët prej koronavirusit, ndodhën aq shumë vdekje.
Tani jemi në një situatë pak më ndryshe, mund ta shijojmë përsëri jetën dhe mund të dalim për ndonjë xhiro me fëmijët tanë. Kjo na lumturon. Ndeshjet pa tifozë? E vështirë, do të jetë shumë e vështirë, por duhet të mësohemi“, deklaron sulmuesi i Barcelonës. /abcnews.al

